Trump bisedon me homologun egjiptian mbi Gazën

nga Xh M

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ranë dakord mbi nevojën për të konsoliduar marrëveshjen e armëpushimit të Gazë, gjatë një bisede telefonike që patën të shtunën, tha presidenca egjiptiane. Sidoqoftë, është e paqartë nëse ata diskutuan mbi thirrjen e Presidentit Trump për transferimin e palestinezëve nga Gaza drejt Egjiptit dhe Jordanisë.

Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit folën rreth “rolit të rëndësishëm të Egjiptit në lirimin e pengjeve në Gazë” dhe se zoti Sisi shprehu besimin se Presidenti Trump mund të sjellë paqe në rajon.

Egjipti tha se dy udhëheqësit patën një dialog pozitiv ku u vu theksi tek nevoja për zbatimin e plotë të fazës së parë dhe të dytë të armëpushimit mes Izraelit dhe grupit Hamas, dhe nevojës për të rritur dërgesat e ndihmave humanitare në Gazë.

Në asnjë prej deklaratave zyrtare nuk përmendet nëse dy udhëheqësit diskutuan mbi deklaratat e bëra gjatë javës së shkuar nga Presidenti Trump se Egjipti dhe Jordania duhet të pranojnë palestinezët nga Gaza.

Presidenti Sisi e hodhi poshtë idenë të mërkurën, duke e cilësuar si një “akt padrejtësie”.

Megjithatë, të enjten zoti Trump përsëriti thirrjen e tij, duke thënë, “ne bëjmë shumë për ta dhe ata do ta bëjnë këtë”, një referencë e dukshme e ndihmës amerikane si për Egjiptin ashtu edhe për Jordaninë.

Ministrat e jashtëm arabë, të mbledhur të shtunën në Kajro, kundërshtuan gjithashtu mundësinë e transferimit të palestinezëve, duke thënë se një veprim i tillë do të kërcënonte qëndrueshmërinë rajonale, do të përhapte konfliktin dhe minonte perspektivat për paqe.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More