Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar fillimin e menjëhershëm të testeve të reja të armëve bërthamore, duke përmendur programet e testimit në vende të tjera.
“Për shkak të vendeve të tjera që testojnë programe, unë kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të fillojë testimin e armëve tona bërthamore mbi baza të barabarta”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
“Ky proces do të fillojë menjëherë”, shtoi ai, pa specifikuar se cilat armë do të testoheshin.
Njoftimi erdhi pak para takimit të Trump me presidentin Kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut.
Gjatë bisedimeve, Trump refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së një gazetari në lidhje me testet e planifikuara bërthamore.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë fuqi bërthamore, së bashku me Rusinë, BM dhe Francën.
Sipas një raporti nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), aktualisht ka nëntë shtete të armatosura me armë bërthamore, përfshirë Indinë, Pakistanin, Korenë e Veriut dhe Izraelin.
Nëse SHBA-të do të kryenin teste të armëve bërthamore për herë të parë në më shumë se 30 vjet, fuqitë e tjera bërthamore gjithashtu mund të nxiten të veprojnë.
Shtetet e Bashkuara kryen për herë të fundit një provë bërthamore në vitin 1992, në atë që tani njihet si Vendi i Sigurisë Kombëtare në Nevada.
SHBA-të ruajnë aftësinë për të rifilluar testimet në atë vend, dhe në kushte të caktuara, presidenti mund të autorizojë teste të tilla, sipas Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit.
Pas njoftimit të Trump, demokratët e Kongresit kundërshtuan.
“Absolutisht jo. Do të paraqes legjislacion për t’i dhënë fund kësaj”, shkroi përfaqësuesja demokrate Dina Titus e Nevadës në X.
Vetëm disa ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin theksoi fuqinë ushtarake të energjisë bërthamore, gjatë një takimi me Shtabin e tij të Përgjithshëm, në një qendër komande në një vendndodhje të pazbuluar.
Putin tha se ushtria ruse ka arritur suksese të shumta në luftën kundër Ukrainës dhe konfirmoi se testi i fundit i raketës bërthamore me rreze të gjatë veprimi ”Burevestnik” kishte qenë një sukses.
Në postimin e tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara zotërojnë më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër.
Megjithatë, sipas Fushatës Ndërkombëtare për Heqjen e Armëve Bërthamore (ICAN), Rusia aktualisht mban rezervat më të mëdha të konfirmuara me më shumë se 5 500 koka bërthamore, ndërsa SHBA-të kanë rreth 5 044.
