Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se tregjet e aksioneve në SHBA janë “më të forta se kurrë” falë tarifave që ai ka vendosur që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti.
“Tregu i aksioneve është më i fortë se kurrë më parë për shkak të tarifave” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Bursa e Nju Jorkut ka pasur një periudhë të vështirë, me ulje-ngritje në gjashtë muajt që nga njoftimi i tarifave të Trump në prill.
Pavarësisht disa pengesave, tre indekset kryesore fituan në periudhën gjashtëmujore, duke arritur gjithashtu nivele rekord të larta. Dow Jones u rrit me më shumë se 17%, Nasdaq composite u rrit me 34% dhe S&P 500 u ngjit me 23%, transmeton AA.
Në një postim të veçantë, presidenti theksoi se vendi “Është përsëri i pasur, i fuqishëm dhe sigurtë kombëtar, të gjitha për shkak të tarifave”.
Shumë ekonomistë argumentuan se tarifat janë të dëmshme, joproduktive dhe kanë rritur çmimet, duke dëmtuar konsumatorin amerikan, si dhe bizneset.
Gjykata Supreme e SHBA-së do të dëgjojë çështjen e tarifave
Trump preku gjithashtu çështjen e tarifave para Gjykatës Supreme të SHBA-së, duke e quajtur atë “ÇËSHTJA MË E RËNDËSISHME NDONJËHERË” që ka arritur në gjykatë.
Gjykata Supreme ka caktuar datën 5 nëntor për të dëgjuar argumentet nëse Trump i përdori ligjërisht kompetencat e emergjencës për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse në mbarë botën.
Në gusht, një gjykatë federale e apelit vendosi 7-4 se Trump tejkaloi autoritetin e tij sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës, një ligj i vitit 1977 që lejon sanksione ekonomike kundër kërcënimeve “të pazakonta dhe të jashtëzakonshme”.
Disa vendime të gjykatave më të ulëta, përfshirë një të 29 gushtit nga Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun Federal, arritën në përfundimin se Trump tejkaloi në mënyrë të paligjshme autoritetin e Kongresit për të vendosur tarifa të larta mbi importet nga shumë vende.
