Shkup, 6 nëntor – Universiteti i Tetovës nëpërmjet Kuvendit Universitar të Studentëve, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Daorsa Spahijës, e cila dje u gjet e vdekur në Tetovë.
Nga UT thonë se “largimi i saj i papritur përjetohet me dhimbje të madhe në shoqërinë studentore”.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges sonë, Daorsa Spahija. Largimi i saj i papritur përjetohet me dhimbje të madhe në shoqërinë tonë studentore, në auditorët, në bisedat dhe kujtimet që i ndamë së bashku. Humbja e Daorsës na prek thellë, jo vetëm si kolegë, por si një komunitet i tërë. Nuk humbëm vetëm një studente, humbëm një njeri të dashur, një jetë të re plot mundësi dhe një rrugëtim që duhej të vazhdonte”.
“Dhimbja është e madhe, e heshtur dhe e vështirë të shprehet me fjalë. Në këto momente të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e saj, të afërmit, miqtë. Le ta kujtojmë Daorsën me dashuri dhe me mirënjohje për kohën që patëm mundësinë ta kemi pranë nesh. Ngushëllimet tona më të thella dhe më të përzemërta”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, nga Prokuroria sot njoftuan se janë intensifikuar hetimet dhe do të merren masa deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale”, thanë nga Prokuroria.
