Shkup, 25 shtator – Në Trubarevë sot vazhdon skriningu mjekësor dyditësh i popullsisë, që e realizon Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Klinikën për Pulmologji.
Sipas të dhënave fillestare nga terreni, në ditën e parë janë kontrolluar gjithsej 111 persona në dy pika – 56 persona në Pikën 1 dhe 55 persona në Pikën 2. Gjendja shëndetësore e pacientëve është përgjithësisht e mirë, por tek 11 persona është konstatuar prania e irritimeve dhe shqetësimeve në fyt, për çka ata janë dërguar për ekzaminime shtesë në Klinikën e Pulmologjisë, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Skriningu përfshin kontroll klinik, matje të pulsit, saturimit dhe vlerësim të kapacitetit vital, me qëllim që të konfirmohet gjendja shëndetësore e popullatës lokale pas zjarrit të madh në Trubarevë më 13 shtator.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbrëmë në një paraqitje televizive tha se qytetarët që po dërgohen për ekzaminime shtesë pulmonologjike janë më të moshuar.
Aliu u bën apel të gjithë qytetarëve që kanë kollë, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje,… të regjistrohen për skrining.
“Qëllimi është të përfshihen të gjithë qytetarët që mendojnë se duhet t’i nënshtrohen kontrollit ose nëse ndiejnë ndonjë simptomë si kollë, dhimbje koke, gulçim. Do t’u kërkoja këtyre qytetarëve të regjistrohen për kontroll sonte. Është mirë që problemet shëndetësore të zbulohen më herët, në mënyrë që të mund t’i trajtojmë ato”, theksoi Aliu.
Sipas Protokollit, skriningu duhet të bëhet edhe dy herë, pas tre dhe gjashtë muajsh, për të parë efektin e ndotjes pas zjarrit.
