Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut

nga D. V.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi ligjin për zonat e mbrojtura, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për shpalljen e tij antikushtetues.

Zhupa, e cila ka qenë nismëtarja e ankimimit shprehet në një postim në rrjetet sociale se “dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë”.

Ajo bën të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

“Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, çon në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir. Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërisë, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku s’ka asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!”, shprehet Zhupa.

Deputetja e PD-së shton se “është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standardet europiane”.

“Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesëmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standardet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri. Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit”, përfundon reagimin e saj deputetja Zhupa.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More