Shkup, 30 shtator – Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian u hap sërish pak para zgjedhjeve lokale, por u mbyll shpejt si temë. Partia opozitare maqedonase LSDM publikoi propozim rezolutë me afate kohore se si të zhbllokohet rruga e integrimit drejt BE-së. Ashtu edhe siç pritej, kjo rezolutë menjëherë u hodh poshtë nga VMRO DPMNE. Megjithatë ky veprim ishte një sinjal se pas përfundimit të zgjedhjeve, kjo temë do të jetë kryesorja në politikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
LSDM doli me një projekt-rezolutë për të përcaktuar pozicionet shtetërore dhe kombëtare në procesin e integrimit evropian, me qëllim krijimin e një konsensusi të gjerë politik dhe shoqëror në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dokumenti parashikon afate dhe mekanizma të qartë për mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase, duke përjashtuar gjuhën, identitetin, historinë dhe kulturën nga çdo negociatë e mundshme me Brukselin.
Rezoluta përcakton dy parime themelore: respekt të pakushtëzuar për specifikat maqedonase dhe përmbushje të detyrimeve të Kornizës Negociuese pa pranuar kërkesa të reja dypalëshe ose të lidhura me identitetin.
Sipas dokumentit e gjithë procedura duhet të përfundojë deri më 10 shkurt 2026, ndërsa në të njëjtën kohë, në ditën e votimit përfundimtar, Qeveria duhet t’i dërgojë një letër zyrtare BE-së dhe Komisionit Evropian, duke kërkuar thirrjen e një Konference Ndërqeveritare për të hapur grupin e parë të negociatave më së voni deri më 15 shkurt 2026.
Gjasat që të arrihet një mirëkuptim i vërtetë midis qeverisë dhe opozitës është i paktë, sepse rezoluta o hodh poshtë nga kryeministri Mickoski, por ai pranoi se kjo mund të jetë një bazë e mirë për rezolutë tjetër të cilën do ta propozojë VMRO DPMNE pas zgjedhjeve lokale.
Aktualisht, partitë politike shqiptare nuk kanë pasur ndonjë reagim specifik të këtij propozimi, përveç deklaratave të përgjithshme dhe të vazhdueshme se ata janë pro integrimit sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.
.
Është e qartë se nëse vërtet ekziston një mirëkuptim i ndërsjellë midis qeverisë dhe opozitës, kjo rezolutë mund të kontribuojë në depolarizim të konsiderueshëm në shoqëri. Pëlqimi nga Bullgaria ose BE-ja nuk është i garantuar.
Por, duke e pasur parasysh historikun e politikbërjes në Maqedoni, asnjë iniciativë e mëparshme e opozitës nuk është pranuar nga qeveria. Pavarësisht se sa kozmopolite dhe pozitive kanë qenë këto iniciativa për vendin, mbi të gjitha ka qëndruar interesi partiak, përpara interesave shtetërore.
Një pjesë e rëndësishme që duhet të kihet parasysh e që në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë është bllokimi i negociatave dhe vënia e kushteve me qëllim që të ketë korrigjim të qëndrimeve të BE-së ose Sofjes.
Kjo në fakt do të ishte një gabim i rëndë që bëhet në rrugën e integrimit. Nëse merret një vendim i tillë, që është kërkesë e vazhdueshme e frymave nacionaliste, atëherë kjo është një vetvrasje politike për Maqedoninë e Vertiut dhe izolim i tërësishëm nga skena politike e diplomatike ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut, por edhe shtete tjera, nuk mund t’i vendosin kushet BE-së, por duhet të ndiqen rregullat strikte që përcaktohen për çdo vend.
Nëse ka bllokim të negociatave, në këtë mënyrë hapen portat për shumë fryma nacionaliste, anti evropiane dhe u jepet një arsye më shumë të gjithë atyre që nuk besojnë në projektin e BE-së, dhe se kanë pasur të drejtë në zhgënjimin që vjen nga Brukseli.
Sigurisht se rruga e integrimit drejt BE-së nuk do të lihet anash nga partitë politike, sidomos ato shqiptare, gjatë kësaj fushate. Ndoshta partitë maqedonase më pak do të flasin rreth kësaj teme, por një gjë është shumë e qartë, deshën apo nuk deshën partitë politike, zhbllokimi i integrimit drejt Bashkimit Evropian do të jetë tema kryesore pas zgjedhjeve. Edhe partia shqiptare në pushtet, një nga kushtet kryesore duhet ta vendos integrimin. Nuk ka kohë për lënie të fatit të vendit dhe rinisë, në duart e atyre që duke shitur nacionalizëm, mendojn vetëm se si t’i mbushin xhepat e tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.
