Strugë, 14 gusht – Shtabi Qendror i VLEN-it dhe Shtabi Komunal i VLEN-it në Strugë kanë konfirmuar se në zgjedhjet lokale të 19 tetorit do të mbështesin vetëm kandidatin e pavarur, Mendi Qyra.
Në një komunikatë për media, shefi i shtabit zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi, tha se partitë e koalicionit opozitar në Strugë po zhvillojnë një fushatë joetike të bazuar në shpifje dhe dezinformata.
“Koalicioni i Zullumit e ka dorëzuar Strugën që tani dhe përpiqet me shpifje të fitojë ndonjë votë më tepër. Hedhim poshtë të gjitha shpifjet se VLEN apo partitë tona mbështesin ndonjë kandidat tjetër”, theksohet në deklaratë.
VLEN rikujtoi se brenda këtij koalicioni bëjnë pjesë Lëvizja BESA, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, dhe se asnjëra prej tyre nuk ka dhënë mbështetje për kandidatura të tjera.
Sipas Azizi, çdo informacion i kundërt është i fabrikuar nga strukturat opozitare me qëllim që të krijojë “habi dhe mjegull” tek qytetarët.