Studeniçan, 6 tetor – Koalicioni VLEN sonte mbajti tubim në Studeniçan.
“Sonte, në Studeniçan, jemi bashkuar me qytetarët për një tubim plot energji dhe besim, sepse puna që kemi bërë në këta muaj po shihet, po ndihet dhe po vlerësohet në çdo vendbanim të komunës.
Studeniçani ka nisur të ndryshojë, dhe ndryshimi është i prekshëm në çdo rrugë, në çdo lagje e në çdo projekt që po realizohet.
Rrugët po ndërtohen, trotuaret po rregullohen, ura të reja po lidhin lagjet dhe fshatrat, njerëzit dhe bizneset.
Ura në Cvetovë tashmë është përfunduar, ndërsa ajo në Batincë është në ndërtim e sipër. Asfaltimi po ecën me ritëm, dhe për herë të parë pas shumë vitesh, Studeniçani është futur në hartën e investimeve qeveritare.
Në Moranë, shkolla mban sot me krenari emrin e veprimtarit Azem Morana, një nderim për historinë dhe për figurat që kanë dhënë shumë për këtë komunë.
Në mandatin e ardhshëm, me Sedat Bislimin në krye, do të ndërtojmë dy çerdhet e para në Studeniçan dhe në Batincë, investime që prekin drejtpërdrejt jetën e familjeve të reja.
Sa i përket deponisë Drislla, puna ka filluar. Po përgatitet rrethimi për të ndaluar qasjen e qenve endacakë, dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë po ndërtojmë një qendër moderne për menaxhimin e mbeturinave, që ta pastrojmë ajrin dhe ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve.
Këto janë vepra. Janë punë. Janë rezultat i investimeve, jo i premtimeve. Ndërkohë që të tjerët për vite të tëra flinin në karriget e pushtetit, sot dalin me premtime të ricikluara, si të mos ishin vetë fajtorët për gjendjen e kësaj komune.
Por qytetarët e Studeniçanit nuk mashtrohen më. Ata e dinë kush punon e kush flet. Kush ndërton dhe kush pengon. Prandaj, më 19 tetor, me Sedat Bislimin kandidat për kryetar, me Ali Abdullain shef shtabi dhe Xhelal Ramushin bartës liste, Studeniçani do të fitojë! Sepse qytetarët nuk kthehen pas. Këtu ecim bashkë përpara, me punë, me vizion dhe me besim!”, tha Izet Mexhiti kandidat për kryetar komune në Çair.
Ndërsa Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, tha se oponentët assesi ta kapin hapin e VLEN-it në këtë fushatë.
“Ne tërë kohën i sfidojmë eja të kthehemi në çështje të pushtetit lokal. Hajde kthehemi në pikën çfarë është bërë prej jush në komunat shqiptare, çka do të bëni ju në komunat shqiptare, sa fonde i keni sjellë në komunat shqiptare, çfarë projekte u bënë në komunat shqiptare”, tha Ibrahimi.