Volvo arriti një pikë kthese të rëndësishme në elektrifikimin e saj, kur në muajin shtator dorëzoi automjetin e një miliontë hibrid plug-in.
Hibridet plug-in (PHEV) përbëjnë aktualisht 23 për qind të shitjeve globale të Volvo në gjysmën e parë të vitit 2025, me një rritje të shitjeve nga gati 46,000 njësi në vitin 2019 në mbi 177 mijë në vitin 2024. Kërkesa udhëhiqet nga modelet XC60 dhe XC90 PHEV.
XC60 ishte PHEV më i shitur në Evropë në vitin 2024 dhe lider në segmentin premium të PHEV-ve globalisht gjatë tre viteve të fundit. Të dy modelet, XC60 dhe XC90, janë përditësuar vitin e kaluar, gjë që ka forcuar më tej tërheqjen e tyre në tregjet kyçe si Suedia, SHBA dhe Kina.
“Volvo Cars është e përkushtuar ndaj një të ardhmeje plotësisht elektrike dhe do të arrijmë atje me një ritëm që i përshtatet klientëve tanë”, deklaroi Erik Severinson, drejtori kryesor komercial i Volvo Cars.
Të dhënat e brendshme tregojnë se automjetet PHEV përdoren shpesh si plotësisht elektrike, veçanërisht në zonat urbane.
Mesatarisht, drejtuesit e automjeteve Volvo PHEV i përdorin ato pa ndezje të motorit me djegie të brendshme për rreth gjysmën e kohës totale të drejtimit.
Aktualisht, kompania ofron variante PHEV për pesë modele të ndryshme, të cilat plotësojnë gamën e saj prej gjashtë modelesh plotësisht elektrike.