Von der Leyen: Do t’i hapim fabrikat e inteligjencës artificiale për Ballkanin Perëndimor, fillojmë me dy antena në Maqedoni dhe Serbi

nga Xh M

Bruksel, 13 tetor – Bashkimi Evropian ka paralajmëruar zgjerimin e fabrikave të inteligjencës artificiale në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Komisioni Evropian sot njoftoi se programi “AI Factories Antennas” (AIFA) do të zgjerohet në shtatë vende anëtare dhe gjashtë vende partnere të BE-së, mes tyre edhe Maqedonia e Veriut.

Në komunikatë theksohet se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit në Forumin Investues në Tiranë, ka shpallur hapjen e antenave të fabrikave të inteligjencës artificiale në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

“Mund të njoftoj se do t’i hapim fabrikat tona të inteligjencës artificiale për Ballkanin Perëndimor. Do të fillojmë me dy antena në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, duke vendosur një shtyllë kurrizore digjitale të shpejtë në të gjithë rajonin, e cila do t’u mundësojë kompanive në të gjashtë vendet partnere të lidhen me këto fabrika,” deklaroi Von der Leyen.

Sipas saj, kjo do të thotë se kompanitë nga Ballkani Perëndimor do të kenë qasje në infrastrukturën evropiane të inteligjencës artificiale.

“Me fjalë të tjera, fuqia kompjuterike e Bashkimit do të jetë në shërbimin tuaj. Sepse dua që e ardhmja e inteligjencës artificiale të krijohet në Evropë dhe dua që Ballkani Perëndimor të jetë në qendër të saj,” tha Von der Leyen.

Përveç Maqedonisë së Veriut, programi AIFA është zgjeruar edhe në vendet anëtare të BE-së: Belgjikë, Irlandë, Qipro, Letoni, Maltë, Sllovaki dhe Hungari, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Islandë, Moldavi, Serbi dhe Zvicër.

Në komunikatën e Komisionit thuhet se kjo do të mundësojë bashkëpunim të ngushtë mes fabrikave të inteligjencës artificiale që komunitetet kombëtare të kësaj fushe të kenë qasje të sigurt në distancë në superkompjuterë të klasit botëror, të optimizuar për inteligjencë artificiale.

Rrjeti, si pjesë e ekosistemit EuroHPC, synon të zgjerojë qasjen në talente, infrastrukturë dhe inovacion të inteligjencës artificiale në mbarë Evropën.

Po ashtu, të premten Komisioni Evropian njoftoi se gjashtë fabrika të reja të inteligjencës artificiale i janë bashkuar infrastrukturës evropiane, duke e çuar numrin e tyre në 19 në gjithsej 16 shtete anëtare të BE-së.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More