Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në Shkodër, ku dy persona u vranë dhe një tjetër mbeti i plagosur, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shkodrës, Drejtues Madhor Ilir Proda u përcolli sot një mesazh efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Në mesazhin e tij, Proda falënderon efektivët për gatishmërinë e treguar gjatë 24 orëve intensive, që çuan në kapjen e autorit të ngjarjes.
Gjithashtu, Proda u ndal edhe te operacioni në lagjen “Guerrile”, që çoi në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe municione.
“Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij”, u shpreh Proda.
Proda ngushëlloi familjarët e 2 viktimave si dhe iu uroi shërim të shpejtë të lënduarve duke garantuar se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.
“Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm”, tha Proda.
“Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura. Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike”, përfundoi mesazhin drejtori i Policisë së Shtetit.