Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bashku me Wizz Air, shpallën sot zgjerimin më të madh të operimeve në Shqipëri. Kompania ajrore lidere në TIA, njoftoi shtimin e flotës me një avion modern Airbus A321neo dhe katër linja të reja nga Tirana drejt Stokholmit, Këlnit, Billundit dhe ishujve Tenerife.
“Sot shënojmë një hap tjetër të rëndësishëm në udhëtimin e Wizz Air në Shqipëri. Shtimi i avionit tonë të 14-të dhe katër linjat e reja ajrore tregon përkushtimin tonë të fortë për t’iu ofruar pasagjerëve shqiptarë edhe më shumë mundësi udhëtimi të përballueshme dhe destinacione emocionuese. Me këtë rrjet, ne jemi krenarë të zhvillojmë më tej partneritetin tonë me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe të kontribuojmë në rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë si një bazë udhëtimi në rajon. Kjo është një ftesë për të gjithë shqiptarët për të planifikuar udhëtimin e radhës”, u shpreh Piotr Trawka, Zyrtar Komercial për Evropën Perëndimore dhe Jugore.
Kështu Wizz Air do të forcojë më tej lidhjen e Shqipërisë me tregje dinamike europiane si Danimarkën, Gjermaninë, Spanjën dhe Suedinë. Biletat për linjat e reja janë tashmë në shitje në wizzair.com, me çmime që nisin nga 2,490 lekë. “Mbërritja e avionit të 14-të është një hap i rëndësishëm, duke shtuar kapacitetin e nevojshëm për të përmbushur kërkesën në rritje në tregun lokal dhe jo vetëm. Ne konsolidojmë më tej dy tregje të rëndësishme si Gjermania dhe Spanja dhe hapemi në destinacione krejtësisht të reja. Ky ritëm në rritje thekson rolin e TIA-s si një partner i angazhuar që vazhdon të investojë në infrastrukturë, dixhitalizim dhe përvojën e pasagjerëve, duke synuar efikasitet të lartë operacional”, Piervittorio Farabbi, COO i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ky zhvillim bën që Wizz Air të ketë gjithsej 57 destinacione në 17 shtete nga Tirana, duke ofruar 500 mijë ulëse shtesë në vit dhe duke hapur mbi 350 vende të reja pune në lidhje me aviacionin. Gjithashtu do të rritet frekuenca e fluturimeve për destinacionet ekzistuese si Milano, Bruksel, Torino dhe Berlin. Për të festuar njoftimin, Wizz Air po ofron një zbritje 15% në fluturime të përzgjedhura të rezervuara më 9 Shtator, për fluturime mes 17 Shtatorit dhe 17 Dhjetorit 2025 dhe për anëtarët e Wizz Discount Club.