Armët ruse që përdoren për të sulmuar Ukrainën vazhdojnë të përmbajnë një numër të madh pjesësh të prodhuara jashtë vendit, pavarësisht sanksioneve në fuqi, shkroi sot në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Gjatë sulmit masiv të kombinuar ndaj Ukrainës në mesnatëm , Rusia përdori 549 sisteme armësh që përmbanin 102, 785 përbërës të prodhuar jashtë vendit, nga kompani në Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Tajvani, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Japonia, Koreja e Jugut dhe Holanda”, shkroi Zelensky në platformën X.
Ai shtoi se mbi 100 mijë përbërës të huaj ishin gjetur në dronë dhe se aleatët e Ukrainës ishin pajisur me informacione të detajuara për kompanitë prodhuese dhe produktet e tyre.
“Është thelbësore të mbyllen të gjitha skemat që shmangin sanksionet, sepse Rusia i përdor ato për të vazhduar vrasjet. Bota ka fuqinë ta ndalojë këtë”, tha Zelensky.
Të paktën pesë persona humbën jetën gjatë sulmeve dje në mëngjes, kur forcat ruse synuan infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Sulmet vazhduan edhe sot, kur çatia e një qendre perinatale në qytetin verilindor Sumy mori flakë, njoftoi shefi i zyrës presidenciale Andriy Yermak në Telegram.
Sipas tij, 11 fëmijë, 35 pacientë dhe 120 punonjës u detyruan të strehoheshin në një strehë ajrore.
Një grua 69-vjeçare humbi jetën në një sulm në Kherson, në jug të Ukrainës, njoftoi guvernatori Oleksandr Prokudin, duke shtuar se 12 persona u plagosën, përfshirë dy të mitur.
Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.