Regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2025-2026 ka filluar më 14 qershor dhe zgjat deri më 17 qershor, ndërsa afati i dytë i regjistrimit është më 30 qershor. Regjistrimi është në mënyrë elektronike dhe gjatë dy ditëve të ardhshme bëhet pranimi i dokumentacionit nëpër shkolla, informoi drejtori i shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, Gani Asllani. Sipas tij, interesimi më i madh i nxënësve është në drejtimet e mjekësisë.
“Nesër dhe pasnesër është pranimi i dokumentacionit në hapësirat e shkollës. Më shumë drejtimet e mjekësisë që i ofron shkolla jonë, dy paralele mjekësi për infermierë, 1 paralele për teknik dhëmbësh, 1 paralele teknik farmaceutik, por nuk mungon interesi edhe te drejtimet ekonomike që i ofron shkolla, shembull ofrojmë teknik juridik, drejtim i mirë atraktiv, administratë biznesi – është drejtim që ka interes prej anës së nxënësve, teknik ekonomik dhe kemi një drejtim shumë interesant dhe atraktiv për këtë kohë E-tregti dhe marketing, ka të bëjë me marketingun elektronik. Përveç asaj prekim edhe kategorinë tjetër të nxënësve që janë me nivel pak më të ulët të pikëve. Kemi drejtim për shitës dhe referent shitës. Aty me 30 pikë pranohen nxënësit dhe i kemi dy paralele në këtë drejtim.”, – deklaroi drejtori në ShM “Cvetan Dimov”, Gani Asllani.
Lista ranguese përfundimtare me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira do të publikohet nga secila shkollë më 20 qershor 2025, në ora 12:00, në një vend publik në shkollë ose në faqen e internetit të shkollës. Nëse një shkollë ka një numër të madh nxënësish me rezultate të shkëlqyera dhe nuk ka vende të mjaftueshme të lira për të pranuar të gjithë, një test kualifikues do të organizohet më 23 qershor.