Shkup, 1 korrik – Vendi ynë po ecën në rrugën evropiane me zemër dhe arsye, duke pranuar vlerat evropiane, por ne kundërshtojmë shantazhin që nuk janë pjesë e atyre vlerave. Ne nuk pranojmë imponime nën maskën e procesit evropian. Evropa është shtëpia e ligjit, e drejtësisë dhe dinjitetit. Këto janë vlerat që i pranojmë – çdo gjë tjetër është e huaj për BE-në dhe për ne, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e përbashkët për shtyp me komisaren e BE-së për zgjerim, Marta Kos në kuadër të samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të rritjes.
Mickoski theksoi në Samitin i cili mbahet sot në Shkup, Maqedonia hyn si një vend me një kahe të qartë.
“Reformat tona nuk janë dekor. Ato janë domosdoshmëri. Dhe nuk do të presim që dikush të na shtyjë. Do të ecim vetë përpara, me vullnetin tonë, me plan konkret dhe vizion të qartë. Ne ofrojmë rezultate, jo sepse dikush na e kërkon, por sepse qytetarët tanë e meritojnë. Do të vazhdojmë të ndjekim vlerat evropiane jo sepse dikush na thotë ta bëjmë, sepse është zgjedhja jonë, rruga jonë, vendosmëria jonë. Dhe për këtë arsye, jemi mirënjohës për mbështetjen nga Komisioni Evropian, por jemi edhe më të vendosur të ndihmojmë veten, të zbatojmë reformat dhe ta transformojmë vendin, duke investuar, duke punuar, duke besuar në forcat tona dhe në partneritet me BE-në”, theksoi Mickoski.
Kryeministri theksoi se sot në Shkup jemi nikoqir, por edhe partnerë dhe aleatë të një vizioni të përbashkët, për një rajon që nuk definohet nga problemet e tij, por nga mundësitë e tij.
“Vizioni i një Ballkani Perëndimor që i afrohet Bashkimit Evropian jo me fjalë, por me vepra, me reforma, me rezultate, me integrim që ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve. Fakti që jemi nikoqir të këtij samiti të liderëve është një konfirmim simbolik i relevancës sonë rajonale dhe evropiane. Kjo nuk është rastësi. Ky është rezultat i kapitalit politik që kemi investuar në stabilitet, reforma dhe qasje konstruktive. Kjo është njohje e rolit që luan vendi ynë në ndërtimin e urave dhe krijimin e zgjidhjeve”, ka thënë Mickoski.
Ai tha se bisedimet e sotme janë fokusuar në zbatimin e Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Shtoi se për ne ky plan nuk është një formalitet, por mjet përmes së cilës shteti do të transformohet.
“Do të modernizojmë shërbimet publike, do të avancojmë arsimin dhe do të investojmë në energjetikë dhe infrastrukturë digjitale. Do ta bëjmë vendin një shtëpi vërtet evropiane – përpara se formalisht të bëhet pjesë e BE-së”, ka thënë Mickoski.