Punonjësit e “Candy Crush” zëvendësohen nga AI që vetë e kanë krijuar

nga D. V.

Microsofti ka pësuar një goditje të rëndë në portofolin e gjerë të video-lojërave pas një vale të madhe shkarkimesh që ndodhi në fillim të këtij muaji. Situata duket veçanërisht e ashpër për punonjësit e studios King, zhvilluesit e video-lojës “Candy Crush”, të cilët do të zëvendësohen nga mjetet me inteligjencë artificiale (AI), mbi të cilat vetë ata kishin punuar.

Sipas burimeve anonime, një numër i konsiderueshëm punonjësish të Kingut në departamentet e tregimit, përvojës së përdoruesit (UX), dizajnit të niveleve dhe kërkimeve të përdoruesve, kanë kaluar vite duke ndihmuar në zhvillimin dhe trajnimin e modeleve të AI-së që tashmë janë në gjendje të kryejnë punën e tyre më shpejt.

Të njëjtëve punonjës u është thënë se vendet e tyre të punës janë në rrezik. Edhe ekipi i tekstshkruesve përballet me të njëjtin fat, ndërsa një grup me bazë në Londër që punon për video-lojën “Farm Heroes Saga” do të përgjysmohet.

“Fakti që mjetet e AI-së po zëvendësojnë njerëzit është tronditës, por gjithçka po reduktohet në efikasitet dhe fitim, edhe pse kompania në përgjithësi po performon shumë mirë. Nëse po shtojmë më shumë cikle reagimesh dhe përmirësimesh, është absurde të largohen zhvilluesit. Na duhen më shumë punonjës dhe më pak drejtues”, ka thënë një nga burimet anonime për MobileGamer.

I njëjti burim vlerëson se numri i shkarkimeve në të gjithë kompaninë mund të kalojë 200 persona — shifër e përmendur edhe nga Bloomberg kur publikoi lajmin për shkarkimet.

Ndikimi i këtyre shkarkimeve ndjehet në të gjithë departamentin e video-lojërave të Microsoftit. Punonjësit e studios Halo janë jashtëzakonisht të pakënaqur me largimet.

Të paktën pesë persona kanë marrë njoftimin se janë shkarkuar, menjëherë pasi drejtori i Microsoft Gaming, Phil Spencer, ka dërguar një email ku thuhet se festohet fitimprurësia e tanishme e Xbox-it.

Burimi përmend gjithashtu se “Microsoft po bën gjithçka që mundet për të zëvendësuar sa më shumë njerëz me agjentë të AI-së”, ndërsa promovon gjithnjë e më shumë përdorimin e Copilot-it ndër punonjës. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More