VLEN: BDI vazhdon të heshtë për procesin e vetingut të funksionarëve të saj

nga D. V.

Shkup, 1 gusht – Partia e “Botës serbe” -BDI po përpiqet sërish t’i shmanget vettingut të vërtetë dhe ta mashtrojë opinionin publik me justifikime të vjetra dhe të zbrazëta, theksohet në komunikatën e Vlenit, që MIA e transmeton në formë integrale.

Sa herë që përballet me pyetje për krim, korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, fshihet pas një retorike të rreme për njëfarë “vettingu”. Por e vërteta është e qartë: udhëheqësia e BDI-së nuk do ta kalonte as kontrollin më të thjeshtë, e lëre më një proces të mirëfilltë të pastrimit dhe përgjegjësisë.

Janë mbi 20 vjet në pushtet. Kanë pasur kohë, resurse dhe fuqi dhe po të kishin dashur me të vërtetë vetting, do ta kishin realizuar prej kohësh. Por në vend të kësaj, e përdorin këtë fjalë vetëm kur ndodhen nën presion, si një mbulesë për të fshehur krimin dhe pasurimin personal.

BDI nuk e sheh vetingun si një mjet drejtësie, por si një instrument politik për mashtrim.

Nëse janë vërtet të përkushtuar ndaj vetingut – pse nuk nisin nga vetja?

Veting për Ali Ahmetin – kush e ka hetuar pasurinë e tij dhe kompanitë e të afërmve të tij!?

Veting për shokun e Bujar Osmani, Artan Grubin – kush do t’i hetojë licencat për kazinotë, lidhjet me botën e nëntokës të Ballkanit dhe marrëveshjet milionëshe!?

Veting për Bujar Osmanin – kush do të japë përgjigje për takimet e dyshimta me përfaqësues të botës serbe, për rastin “Pacienti”, dhe për milionat e shpenzuara në Samitin e OSBE-së!?

Veting për Arben Taravarin – kush do ta kontrollojë pasurinë e tij, tenderët për njerëz të afërt dhe lidhjet me “Xhoka Construction”!?

Veting për Blerim Bejxhetin – kush do të hetojë ndërtimet në Saraj dhe lidhjet e tyre me emrin e tij!?

Këto janë pyetjet për të cilat BDI u detyrohet përgjigje qytetarëve. Pyesim a keni bërë, nëse po tregoni rezultatet. Derisa vazhdojnë të heshtin dhe t’i shmangen përgjegjësisë së vërtetë, çdo thirrje për vetting nuk është gjë tjetër veçse një fushatë e lirë propagandistike.

Por vetingu i vërtetë po vjen. Dhe nuk do të jetë nën kontrollin e komisioneve partiake, por nën mbikëqyrjen e popullit.

Në zgjedhjet e ardhshme lokale, qytetarët do ta përmbyllin këtë proces – do të bëjnë vlerësimin e duhur dhe do t’i dërgojnë në histori të gjithë ata që kanë keqpërdorur pushtetin për interesa personale.

 VLEN

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More