Një kombinim i pandashëm i çokollatës kremoze dhe lajthive të pjekura – ëmbëlsira perfekte për dashamirësit e shijeve të pasura. Përgatitni këtë ëmbëlsirë të lehtë por mbresëlënëse dhe surprizoni të dashurit tuaj me një ëmbëlsirë të bërë në shtëpi.
Përbërësit:
200 gram çokollatë e zezë
200 gram qumësht i kondensuar
200 gram lajthi
Aromë vaniljeje ose rum (opsionale)
1 lugë kanellë
Përgatitja:
Piqni lajthitë për disa minuta në një furrë të parangrohur në 200°C, pastaj vendosini mbi një peshqir kuzhine dhe me fërkim largoni lëvoret. Nëse dëshironi, mund të përdorni një sasi më të vogël ose t’i zëvendësoni me fistikë.
Ngrohni ujin në një tenxhere dhe mbi të vendosni një enë që i reziston nxehtësisë me çokollatë të grirë sipër për ta shkrirë në avull. Pasi çokollata të jetë shkrirë, shtoni qumështin e kondensuar dhe përziejini derisa mikstura të bëhet e lëmuar. Nëse dëshironi, shtoni aromë vaniljeje ose rumi dhe pak kanellë ose erëza të tjera. Mbuloni një tepsi të vogël pjekjeje me letër pjekjeje. Mund t’i përzieni të gjitha lajthitë me miksturën e çokollatës ose të hidhni disa prej tyre në mes. Hidheni miksturën në tepsi dhe rrafshojeni. Lëreni të qëndrojë gjatë natës në frigorifer.
Të nesërmen, pritini në katrorka dhe shërbejini.