Recetë e thjeshtë, e shpejtë dhe plot shije orientale
Nëse nuk keni inspirim për përgatitjen e filetos së pulës, ju sjellim një ide si ta bëni më interesante. Pulën krokante mbulojeni me një salcë të ëmbël me aromë agrumesh dhe shërbejeni me oriz, makarona apo garniturë sipas dëshirës.
Koha e përgatitjes: 20 min
Koha e gatimit: 40 min
Koha totale: 1 orë + kohë ftohjeje
Përbërësit:
Salca
▪ 350 ml ujë
▪ ½ portokall
▪ ½ limon
▪ 80 ml uthull orizi
▪ 3 lugë gjelle salcë soje
▪ 1 lugë gjelle lëvore portokalli e grirë imët
▪ 100 g sheqer kaf
▪ 2 cm xhenxhefil i freskët
▪ 1 thelb hudhër
▪ 20 g qepë e njomë
▪ ¾ lugë çaji spec i kuq në copa
▪ 3 lugë gjelle niseshte misri
▪ 2 lugë gjelle ujë
Mishi
▪ 450 g fileto pule, e prerë në kube
▪ 150 g miell i bardhë
▪ ¾ lugë çaji kripë
▪ ¾ lugë çaji piper
▪ 3 lugë gjelle vaj ulliri
▪ 1 lugë gjelle fara susami (opsionale)
Përgatitja:
Salca
Përgatitja e përbërësve – Grini lëvoren e portokallit, shtrydhni gjysmën e portokallit dhe gjysmën e limonit për të nxjerrë lëngun. Rrini xhenxhefilin, shtypni ose grini hudhrën dhe prijeni qepën e njomë në rrathë.
Bashkimi i përbërësve – Ngrohni një tigan në zjarr mesatar dhe shtoni ujin, lëngun e portokallit, lëngun e limonit, uthullën e orizit dhe salcën e sojës. Përzieni me 1 lugë gjelle lëvore portokalli, sheqerin kaf, xhenxhefilin, hudhrën, qepën e njomë dhe specin djegës. Përziejeni mirë dhe, pasi të vlojë, largojeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet 15 minuta.
Mishi
Marinimi i mishit – Vendosni copat e pulës në një qese plastike që mbyllet, shtoni 230 ml nga salca e ftohur dhe pjesën tjetër lëreni mënjanë. Futeni në frigorifer për 2 orë.
Përgatitja me miell – Në një qese tjetër plastike bashkoni miellin, kripën dhe piperin. Shtoni copat e marinura të pulës, mbylleni qesen dhe tundeni mirë që mishi të mbulohet plotësisht.
Pjekja
Ngrohni vajin e ullirit në tigan në zjarr mesatar dhe skuqni pulën, duke e përzier shpesh, për rreth 8–10 minuta ose derisa të marrë ngjyrë të artë.
Mbajtja e ngrohtë – Pulën e pjekur vendoseni në një pjatë dhe mbulojeni me letër alumini.
Zieni ngadalë – Në të njëjtin tigan shtoni pjesën e mbetur të salcës dhe përziejeni derisa të vlojë. Në një tas të vogël përzieni niseshtenë e misrit me ujin dhe shtojeni në salcë. Ulni zjarrin, shtoni pulën e pjekur dhe lëreni të ziejnë së bashku edhe 5 minuta, duke përzier herë pas here.
Shërbimi
Shërbejeni me oriz ose makarona, ndërsa sipër mund të spërkatni fara susami sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë.