Familjet në Shqipëri rritën me 1,5% shpenzimet mujore për konsum

nga L. M

Familjet shqiptare kanë rritur shpenzimet e tyre mujore për konsum gjatë vitit 2024, me 1,5%, krahasuar me një vit më parë.

Sipas Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare, të publikuar sot nga INSTAT-i shpenzimet mesatare mujore për konsum janë vlerësuar në 93,042 lekë për një njësi ekonomike familjare, e cila përbëhet mesatarisht nga 3,1 persona.

Totali i shpenzimeve mujore për konsum arrin në rreth 70,4 miliardë lekë në shkallë vendi. Rritja më e madhe e shpenzimeve është regjistruar në grupin “mobilim dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”, me 5,7 %, ndjekur nga grupi “transport” me 5,2 % dhe “veshje dhe këpucë” me 4,4 %.

Në strukturën e shpenzimeve, pjesa më e madhe shkon për “ushqime dhe pije jo-alkoolike”, me një vlerë mesatare prej 36,879 lekësh në muaj, që zë 39,6 % të buxhetit të përgjithshëm familjar.
Brenda këtij grupi, më së shumti shpenzohet për perime (19,4 %), mish dhe nënprodukte të tij (18,9 %), si dhe bukë e drithëra (15,4 %).

Një tjetër grup me peshë të konsiderueshme është ai i “shpenzimeve për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar”, me një mesatare mujore prej 8,944 lekësh (9,6 % e buxhetit), si dhe grupi “restorante dhe hotele” me 7,031 lekë, që përbën 7,6 % të totalit.

Sipas të dhënave, rritja e shpenzimeve për mobilim lidhet me blerjen e pajisjeve të vogla shtëpiake, si aparate për kafe, thekëse buke dhe riparime të ndryshme në banesë. Po ashtu, shpenzimet për “restorante dhe hotele” janë shtuar me 4,1 %, për shkak të rritjes së kostove për shërbime akomodimi dhe strehimi.

Rritje ka pasur edhe në grupin “argëtim dhe kulturë”, me 1,7 %, çka tregon një interes më të madh të familjeve për udhëtime dhe paketa turistike, brenda dhe jashtë vendit.

Sa i përket qarqeve, Tiranë kryeson me shpenzimet më të larta mujore për konsum, me 108,588 lekë. Pas saj renditen Korça me 91,418 lekë dhe Durrësi me 90,218 lekë. Ndërkohë, shpenzimet më të ulëta regjistrohen në Kukës (75,048 lekë) dhe Dibër (75,883 lekë). 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More