Von der Leyen: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE-së, ritëm rekord me negociatat

nga D. V.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerësoi sot se “Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian”.

Von der Leyen ndodhet në Tiranë në kuadër të Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor” që do të zhvillojë punimet në datat 13-14 tetor.

Presidentja e KE-së vlerësoi ritmin rekord gjatë tre viteve të fundit në negociatat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

“E nis me kënaqësi në Tiranë turin tim vjetor të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Me ritme rekord gjatë tre viteve të fundit”, u shpreh ajo.

Von der Leyen shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në çdo hap të rrugës.

Presidentja e KE-së, Von der Leyen u prit sot në takime të veçanta nga presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.

Ajo do t’i drejtohet me një fjalë Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, i cili mbledh në Tiranë përfaqësues të lartë qeveritarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe vendimmarrës, institucione financiare ndërkombëtare, investitorë strategjikë dhe kompani lidere nga BE-ja dhe më gjerë.

Forumi i Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Europian, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More