A do të ndryshojë rezultati më 2 Nëntor, apo do të thellohet edhe më shumë?

nga I.A

Shkup, 31 tetor – Dita e fundit e fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 shënon kulmin e një beteje politike që për shumëkënd është më tepër se një garë për pozita lokale është një test politik për konfigurimin e ri të forcave në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Me përfundimin e fushatës sonte në mesnatë dhe nisjen e heshtjes zgjedhore të gjithë sytë janë kthyer nga e diela, 2 nëntor, kur 32 komuna, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, do të përcaktojnë drejtimin e tyre për katër vitet e ardhshme, shkruan Zhurnal.

Fitorja e VLEN-it a është e pritshme?

Në këtë fazë të dytë, dinamika politike ka marrë një kah të qartë sidomos në zonat me shumicë shqiptare. Koalicioni VLEN që tashmë ka shënuar fitore të rëndësishme më 19 tetor duket se vetëm sa do të thellojë avantazhin e tij politik, duke konsoliduar pushtetin lokal në disa prej komunave më simbolike për shqiptarët, si Struga, Tetova dhe Studeniçani.

Raundi i dytë zakonisht shihet si një fazë më e qetë dhe më teknike, ku betejat zhvillohen për votuesit e pavendosur dhe për mobilizimin e strukturave. Por në këtë rast, për shqiptarët, gara ka marrë një dimension strategjik.

VLEN, pas rezultateve të para, ka arritur të pozicionohet si një forcë për ndryshim, e cila po përfiton nga lodhja elektorale dhe organizative e rivalëve të saj tradicionalë. Me gjasë, ky raund i dytë nuk do të sjellë ndryshim të madh në raportet e forcave, por do të forcojë trendin ekzistues një rritje të qëndrueshme të ndikimit të VLEN në komunat shqiptare.

Në Strugë, ku fushata ka qenë e përqendruar rreth bilancit të qeverisjes lokale dhe temave ekonomike, VLEN ka arritur të ruajë një bazë të fortë mbështetëse dhe të zgjerojë ndikimin përmes votës urbane. Në Tetovë, bastioni tradicional i garave shqiptare, energjia e re politike dhe figura të reja që po promovon ky koalicion mund të jenë përcaktuese për fitoren.

Ndërsa në Studeniçan, fushata është fokusuar në çështje konkrete të infrastrukturës dhe administrimit lokal fusha ku VLEN ka fituar besueshmëri krahasuar me konkurrentët. Nga ana tjetër, mbështetja e parezervë e VLEN-it për kandidatin e pavarur, Azem Sadikun, veçse thellon fitoren e Sadikut nga raundi i parë.

A mund të ndryshojë rezultati?

Megjithëse politika lokale shpesh di të rezervojë surpriza indikatorët nga terreni dhe mobilizimi i strukturave sugjerojnë se më 2 nëntor nuk do të ketë përmbysje, por përkundrazi, thellim të rezultatit aktual.

Partitë tradicionale shqiptare, më saktë AKI si koalicion i këtyre partive të cilat dikur dominonin në shumicën e komunave, duket se po përballen me një krizë të dyfishtë organizative dhe bashkëpunuese. Ato nuk kanë arritur të ofrojnë një alternativë të besueshme ndaj energjisë politike të re që përfaqëson VLEN.

Ky raund i dytë nuk do të ketë pasoja vetëm lokale. Në fakt, rezultati i 2 nëntorit mund të shërbejë si parathënie për riformatimin e ardhshëm të skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nëse VLEN arrin të konsolidojë fitoren në komunat kyçe, ajo do të shndërrohet në një faktor të padiskutueshëm në çdo konfigurim të ardhshëm qeverisës qoftë lokal, qoftë qendror.

Ndërsa fushata mbyllet dhe heshtja zgjedhore fillon, ajo që mbetet është pritja. Por shenjat janë të qarta më 2 nëntor, rezultati nuk do të ndryshojë, por do të thellohet. Kampi shqiptar, i përfaqësuar tashmë me një koalicion të ri, po hyn në një fazë ku fitorja e 19 tetorit duket vetëm fillimi i një transformimi më të gjerë politik që do të shtrihet përtej këtyre zgjedhjeve. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More