Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se opozita ka informuar institucionet e Bashkimit Europian për atë që ndodh në Shqipëri.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
“Së pari raportin duhet ta lexojmë, ta shohim që të bëjmë vlerësime për të. Por qëndrimi im është ky. Përveç kriterit gjeostrategjik, Shqipëria në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë kriter tjetër. Ne kemi bërë të pamundurën të informojmë institucione të BE-së, në mënyrë veçantë parlamentin, por edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve partnere për zhvillimet në Shqipëri”, tha ai.
Sipas Berishës, ky është një proces jo i lehtë për një opozitë, “por kemi arritur 4 rezoluta ndërkombëtare të cilat janë pothuajse identike me raportin e OSBE-ODIHR-it”.
“Cilido që lexon rezolutat dhe lexon raportin e OSBE-ODIHR, sheh një ngjashmëri shumë të madhe midis tyre. Mirëpo ka përsëri mbrojtës të narkoregjimit, ka të tjerë që janë kritikë ndaj meje sepse unë denoncoj narkoshtetin. Por unë denoncoj një të vërtetë të madhe që po shkatërron kombin dhe vendin tim”, shtoi ai.
Kurse ata që e mbrojnë, sipas Berishës, “nuk bëjnë gjë tjetër vetëm vazhdojnë atë linjë korruptive”.
“Ne kemi durim dhe vazhdojmë betejën tonë informative. Informojmë dhe kemi bindje të plotë se këto gradualisht do të realizohen”, u shpreh Berisha.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha u shpreh se “tuneli i Llogorasë u ndërtua pa leje dhe dokumenti u firmos vetëm në maj të vitit 2025”.
“Shikoni një kryeministër që shkon në Theth dhe i prish shtëpinë e ndërtuar në tokën e tij tjetrit, pse e ke ndërtuar pa leje, ndërkohë ndërton objektin 220 milionë euro pa leje dhe firmos lejen e ndërtimit më 28 maj 2025”, tha Berisha.
