Të paktën 26 persona kanë humbur jetën dhe rreth 387 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve dhe aksidenteve të tjera të shkaktuara nga tajfuni Kalmaegi në Filipine, njoftuan sot autoritetet e mbrojtjes civile.
Sipas shërbimit meteorologjik, Kalmaegi ka dobësuar disi intensitetin ndërsa kalonte në qendër të vendit, por ka ruajtur forcën e tajfunit me erëra që arrinin deri në 130 kilometra në orë dhe shpërthime deri në 180 km/orë. Tajfuni goditi fillimisht provincat Southern Leyte dhe Cebu duke u shtrire më tej në brendësi të Kalmaegi.
Përmbytjet e mëdha kanë shkaktuar dëme të rënda, duke përfshirë rrëzimin e linjave të energjisë dhe komunikimit. Në disa zona, banorët janë ngjitur mbi çati për t’u shpëtuar ujërave që u rritën pas reshjeve të dendura gjatë natës. Në Cebu, u raportua se makinat u përplasën njëra mbi tjetrën për shkak të forcës së ujit.
Mbi 130 fluturime të brendshme janë anuluar, ndërsa afro 9 300 pasagjerë mbetën të bllokuar në porte pasi udhëtimet detare u pezulluan. Tajfuni pritet të largohet nga Filipinet brenda ditës së mërkurë ose të enjten, ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë se, edhe pse do të dobësohet, do të ketë ende forcë të madhe .
Paralajmërime janë dhënë edhe për Vietnamin dhe Tajlandën, ku Kalmaegi pritet të mbërrijë në fundjavë. Në Vietnam, reshjet e fundit kanë shkaktuar përmbytje të rënda në rajonin qendror, ndërsa në Tajlandë pritet që stuhia të sjellë reshje të forta sidomos në veri, përreth qytetit turistik të Chiang Rai.
