Guaska prej arit e tualetit, e cila është bërë nga ari 18-karat dhe e dizajnuar nga artisti italian, Maurizio Cattelan, u shit të martën në një ankand në New York për 12.1 milionë dollarë (10.45 milionë euro), njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
Kjo guaskë është bërë nga rreth 101 kilogram ari dhe është plotësisht funksionale. Çmimi fillestar u bazua në çmimin e arit në ditën e ankandit, raporton Sotheby’s para shitjes. Të martën, 101 kilogram ari 18-karat vlente rreth 10 milionë dollarë.
Cattelan (65) ka krijuar dy versione të WC-së prej ari në vitin 2016 dhe të dyja i ka quajtur “Amerika”.
Njëra ishte ekspozuar në Muzeun Guggenheim në New York, para se të vidhej në vitin 2019 nga pallati Blenheim, vendlindja e Winston Churchillit në Angli, ku ishte në huazim.

Versioni tjetër u shit në vitin 2017 një koleksionisti privat, i cili më pas e ofroi për ankand. Sipas mediave amerikane, koleksionisti është miliarderi Steve Cohen, pronar i ekipit të bejsbollit New York Mets.
Ankandi i kësaj vepre artistike shkaktoi mjaft zhurmë gjatë përgatitjeve për shitje dhe u prit me padurim.
Para shitjes, “Amerika” ishte ekspozuar në banjën e selisë së re të Sotheby’s, por, ndryshe nga ekspozitat e mëparshme, vizitorët këtë herë nuk patën mundësi ta përdorin për arsye sigurie.
Artist i vetë-arsimuar italian nga Padova, Cattelan ka ndërtuar reputacionin e tij mbi veprat konceptuale jo të zakonshme. Vitin e kaluar, një banane e ngjitur në mur me tape nën titullin “Comedian” u shit në New York për 6.2 milionë dollarë. Pas kësaj, blerësi, miliarderi i kriptomonedhave Justin Sun, e hëngri atë publikisht.
Edhe veprat e tjera të tij shpesh shkaktojnë debate të ashpra dhe vëmendje mediatike, duke e vendosur artistin shpesh në qendër të polemikave.
