Pagesat bankare po mbizotërohen gjithnjë e më shumë nga kanalet elektronike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 4.5 milionë transferta të kryera nga klientët e sektorit bankar për tremujorin e tretë 2025, 3 milionë veprime në total ose rreth 67% e tyre u kryen nëpërmjet kanaleve elektronike. Për të gjithë 9-mujorin 2025, pesha e veprimeve nga kanalet elektronike është rritur në 65% të totalit, ndërsa gjysmën e parë të vitit të kaluar ato përbënin rreth 61% të numrit të përgjithshëm të transfertave bankare.
Transfertat elektronike, megjithatë, ngelen ende në pakicë, të matura në vlerë. Rreth 39% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 9-mujorin 2025 u krye nëpërmjet internet banking/mobile banking. Kjo tregon se transfertat nëpërmjet internetit janë mbizotëruese sidomos në pagesat me vlerë më të vogël, ndërsa transfertat me vlera të mëdha, të lidhura kryesisht me bizneset kryhen në pjesën më të madhe në formë tradicionale, nga sportelet e bankave
Përdorimi i kanaleve online është i rëndësishëm për të kursyer kohë, por edhe për të mundësuar një shfrytëzim më eficient të sporteleve të bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është ende e domosdoshme. Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri e ofrojnë shërbimet e internet banking. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të pagesave, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga lehtësitë tarifore të vendosura nga Banka e Shqipërisë. Në rregulloren e re “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”, në shtator të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime që shtojnë edhe më shumë incentivat për kanalet elektronike të pagesave. Për pagesat në nisje të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, bankat nuk duhet të aplikojnë komisione.
Më parë, vlera maksimale e përjashtuar nga komisionet për transfertat e kryera në formë elektronike (nëpërmjet shërbimeve të internet banking ose mobile banking) ishte 20 mijë lekë. Për transfertat mbi 40 mijë lekë, deri në vlerën e 10 milionë lekëve, që kryhen në rrugë elektronike komisioni maksimal i lejuar parashikohet në nivelin 0.005% të vlerës së transferuar. Për shembull, një transfertë e kryera me e-banking me vlerë 1 milion lekë nuk mund të ngarkohet nga bankat dhe institucionet financiare me një komision më të lartë se 50 lekë.
Ndërsa, për transfertat në formë letër (që kryhen në degë) me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisioni maksimal i lejuar do të jetë 0.01%. Institucioneve të pagesave u lejohet vendosja e një komisioni minimal të shprehur në vlerë absolute, me qëllim mbulimin e kostove për ofrimin e shërbimit. Kjo vlerë mund të jetë deri në 500 lekë për transfertat në degë dhe 50 lekë për transfertat elektronike (vetëm për ato transferta elektronike që kalojnë vlerën e 40 mijë lekëve).
Në total, komisionet për transfertat kombëtare deri në 10 milionë lekë nuk mund të kalojnë në asnjë rast vlerën e 1 mijë lekëve. Me rregulloren e mëparshme, transfertat deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve kishin një komision tavan deri në 500 lekë për transfertat e kryera në degë dhe 250 lekë për transfertat e kryera me internet banking. Ndërsa transfertat me vlerë më të lartë se 1.5 milionë lekë kishin një komision tavan deri në 1500 lekë (750 lekë nëpërmjet e-banking).
Përveç uljes së komisioneve, kuadri i ri rregullator u vendos bankave edhe detyrimin që transfertat kombëtare të finalizohen brenda ditës së punës. Me rregulloren e mëparshme, kryerja e transfertave kombëtare mes bankave të ndryshme kishte afat një ditë pune. Në fund të vitit 2024, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.35 milionë, në rritje vjetore me 23%. Tashmë 39% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 34% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020./Monitor.al
