Ministria e Mjedisit e Serbisë ka hapur një tender për projektimin dhe ndërtimin e shtatë pikave të riciklimit të mbetjeve të ngurta për qendrën rajonale të mbetjeve Kalenic në Serbinë qendrore, njoftoi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Tenderi është pjesë e një projekti më të gjerë të mbështetur nga BERZH, thuhet në njoftimin e tenderit të javës së kaluar.
Tenderi përfshin projektimin dhe ndërtimin e pikave të riciklimit në shtatë lokacione: Ub, Lajkovac, Ljig, Oscecina, Vladimirci, Mionica dhe Koceljeva. Afati i paraqitjes së ofertave përfundon më 1 janar.
Tenderi është pjesë e një projekti më të madh me vlerë 152 milionë euro (176 milionë dollarë), që synon modernizimin e landfilleve dhe përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të mbetjeve në gjashtë lokacione në Serbi, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Pesë lokacionet e tjera janë: Sombor (Serbia veriore), Pirot (Serbia juglindore), Sremska Mitrovica (Serbia veriperëndimore), Nova Varos (Serbia perëndimore) dhe Duboko (Serbia perëndimore).
BERZH bëri të ditur më herët se po bashkëfinancon projektin në raport 50:50 me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD). Nga shuma totale, BERZH dhe AFD po ofrojnë nga 1 milion euro secila në formë grantesh. Në dhjetor 2024, BERZH nënshkroi një marrëveshje kredie prej 75 milionë euro me Serbinë për fazën e ardhshme të programit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në vend, që parashikon ndërtimin e një landfilli në komunën veriore të Indjija-s./Monitor.al
