Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë vizitës së tij në Sarajevë në kuadër të ministerialit të Kartës së Adriatikut, zhvilloi një takim me efektivët shqiptarë që shërbejnë në misionin paqeruajtës në Bosnjë Hercegovinë.
Gjatë bisedës me trupën, ministri Vengu shprehu mirënjohje dhe vlerësim për profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtarakëve shqiptarë, duke theksuar se angazhimi i tyre nuk është vetëm pjesë e detyrës, por edhe një kontribut strategjik për sigurinë e rajonit dhe për objektivin e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të sillet si një vend anëtar i BE-së, jo vetëm në qëndrime politike, por edhe në angazhimin konkret në misione ndërkombëtare, qoftë të NATO-s, BE-së apo në rajonin e Evropës Juglindore dhe Mesdheut.
Vengu vuri në dukje se shërbimi në mision sjell sfida dhe sakrifica si për efektivët, ashtu edhe për familjet e tyre, dhe u shpreh mirënjohës për këtë kontribut.
Ai garantoi se Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar për të forcuar kapacitetet e Forcave të Armatosura, duke përfshirë modernizimin e pajisjeve, logjistikës dhe sistemeve mbështetëse.
“Jam krenar për djemtë dhe vajzat tona në Sarajevë që e veshin uniformën me nder dhe e lartësojnë flamurin shqiptar,” u shpreh ministri Vengu.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë dje në Ministerialin e SHBA- Karta e Adriatikut (A-5) në Sarajevë, një forum që bashkon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pesë vende të Ballkanit Perëndimor.

