Moti i keq, urdhra evakuimi në disa zona të qarqeve Durrës, Fier e Vlorë

nga D. V.

Reshjet intensive të shiut në ditët e fundit kanë krijuar problematikë të shtuar në disa qarqe të vendit.

Zonat perëndimore, si Durrësi, Vlora dhe Fieri janë tashmë duke u përballur një situatë më të rënduar. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin në disa zona të këtyre qarqeve.

Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësisë administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.

Ministria e Mbrojtjes, urdhëroi sot edhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve të njësisë administrative Ferras në bashkinë e Fierit, për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Gjithashtu, ministria e Mbrojtjes urdhëroi kryerjen e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të njësisë administrative Novoselë, në bashkinë Vlorë. Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut, si dhe strukturave të Emergjencave Civile në bashki.

Autoritetet e pushtetit qendror dhe vendor, në koordinim me Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile dhe strukturat shëndetësore janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More