Sipas asaj që ka konfirmuar Fabrizio Romano, Leon Goretzka ka vendosur të refuzojë ofertën e Atletico Madrid dhe të mos largohet nga Bayern Munich gjatë afatit kalimta të janarit.
Mesfushori gjerman, i cili ishte shndërruar në objektivin kryesor të klubit madrilen për të përforcuar repartin e mesfushës, ka zgjedhur të qëndrojë në Mynih deri në fund të sezonit aktual.

Goretzka, kontrata e të cilit skadon në muajin qershor, ka vendosur ta përmbushë marrëveshjen me klubin bavarez dhe të largohet në verë si lojtar i lirë.
Kjo zgjedhje ka prishur planet e Atletico Madrid, që kishte intensifikuar kontaktet ditët e fundit me synimin për ta afruar menjëherë lojtarin dhe për t’i dhënë atij një rol qendror në skuadër.
Vendimi i mesfushorit për të qëndruar te Bayern lidhet kryesisht me stabilitetin dhe me përfitimin e mundësisë për të zgjedhur vetë destinacionin e radhës pa kosto transferimi.

Për Atletico Madrid, ky refuzim nënkupton ndryshim të menjëhershëm të strategjisë.
Me pak ditë para mbylljes së afatit kalimtar, drejtuesit sportivë janë të detyruar të kërkojnë alternativa të tjera për mesfushën, pasi Diego Simeone e konsideronte Goretzkën profil ideal për forcë fizike, personalitet dhe depërtim nga vija e dytë.
Klubi madrilen tashmë punon kundër kohës për të gjetur një zgjidhje që mund të japë ndikim të menjëhershëm.

