PDK kërkon që urgjentisht të zbardhet se kush është përgjegjës për ligjëratën në “Xhevdet Doda”

nga D. V.

PDK kërkon që urgjentisht të të zbardhet kush është përgjegjës për ligjëratën në “Xhevdet Doda”

Përparim Gruda nga PDK teksa e ka quajtur propagandë një ligjëratë që pretendohet të jetë bërë në gjimnazi “Xhevdet Doda” nga Gjykata Speciale, ka kërkuar që urgjentisht të zbardhet se kush është përgjegjës për këtë dhe po ashtu ka kërkuar që MASHT të jap llogari për atë sesi ka lejuar që kushdo t’iu ligjërojë nxënësve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Kjo është propagandë kundër Kosovës, kundër lirisë dhe shtetësisë së saj, kundër NATO-s, kundër Perëndimit, si dhe kundër vetë parimeve themelore të të drejtave të njeriut mbi të cilat qëndron Evropa e ku bëjmë pjesë edhe ne. PDK kërkon që sa më parë dhe urgjentisht të zbardhet se kush është përgjegjës për këtë propagandë dhe si ka ndodhur që ligjëratat e parapara të shndërrohen në prezantime politike. Po ashtu, në emër të PDK-së kërkojmë llogari nga MASHT për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve të Kosovës pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standarde profesionale”, tha ai në konferencën për media.

Gruda në emër të PDK-së ka shprehur shqetësimin në lidhje me mbajtjen e kësaj ligjërate, tek nxënësit e disa prej tyre nën moshën 18-vjeçare, duke e quajtur se kjo është skandaloze.

“Jam këtu për të shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me mbajtjen e prezantimeve në shkollat tona për nxënës të mitur nga përfaqësues të Gjykatës Speciale. Sipas incizimeve të publikuara në media, gjatë këtyre prezantimeve është përdorur gjuhë skandaloze në kundërshtim me parimet themelore të një shoqërie demokratike dhe standardet ligjore të edukimit. Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, iu janë paraqitur pretendime të njëanshme duke etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryes të krimeve të luftës dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit. PDK vlerëson se kjo qasje është e papranueshme dhe skandaloze”, theksoi ai.

Teksa përmendi shqetësimet e PDK në aspektin shumë dimensional, ai tha se lufta çlirimtare nuk po sulmohet vetëm në Gjykatën Speciale në Hagë por narrativë e shtrembëruar po tenton të futet në bankat shkollore.

“Sot lufta jonë çlirimtare nuk po sulmohet vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por një narrativë e shtrembëruar po tenton të futet edhe në bankat e shkollave duke helmuar me propagandë nxënësit e mitur. Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat e shkollave tona, por nuk mund të tjetërsohet e vërteta, jo në emër të drejtësisë selektive dhe nuk mund të dezinformohet kujtesa kolektive në emër të edukimit”, tha ai.

Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim. PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, përfundoi Gruda.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More