Organizohet tryezë diskutimi mbi rolin e inteligjencës artificiale në integritetin e informacionit

nga D. V.

Hibrid.info ka organizuar sot një tryezë diskutimi me temë “Roli i inteligjencës artificiale në fushën e integritetit të informacionit”. Përfaqësues të institucioneve publike, mediave, akademisë e shoqërisë civile diskutuan për ndikimin në rritje të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) në ekosistemin e informimit publik në Kosovë, sfidat për median dhe boshllëqet ekzistuese rregullative.

Në diskutimin që u mbajt në “Europe House” u trajtua problematika e zbehjes së kufirit mes përmbajtjes së verifikuar dhe asaj sintetike, rritja e dezinformimit dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në besimin publik ndaj medias.

Gjatë diskutimit u theksua se përhapja e përmbajtjeve të gjeneruara me IA – përfshirë tekste, imazhe, video dhe audio – po e përshkallëzon një problem tashmë ekzistues në mjedisin mediatik, veçanërisht në kushte të mungesës së transparencës, standardeve editoriale dhe mekanizmave të qartë të llogaridhënies.

Panelistët vlerësuan se problemi nuk qëndron te teknologjia në vetvete, por te mungesa e rregullimit dhe përgjegjësisë në përdorimin e saj.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe krahasimit me zhvillimet në Bashkimin Evropian (BE), ku përmes akteve si EU AI Act dhe Digital Services Act (DSA) janë vendosur detyrime konkrete për transparencë dhe mbikëqyrje të përmbajtjeve të gjeneruara me IA. Në kontrast, u theksua se Kosova aktualisht nuk ka një kornizë specifike ligjore për IA në media, as detyrim për etiketimin e këtyre përmbajtjeve dhe as autoritet të dedikuar mbikëqyrës.

telegrafi.com

Panelistët diskutuan rolin dhe përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm në këtë situatë, duke nënvizuar se, në mungesë të rregullimit ligjor, barra kryesore bie mbi vetë redaksitë, organet e vetërregullimit, institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile. U theksua nevoja për veprim të koordinuar dhe për ndërtimin e standardeve profesionale që mund t’i paraprijnë rregullimit formal.

Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) tha se korniza aktuale ligjore për media është e vjetruar dhe nuk i përgjigjet zhvillimeve teknologjike. Ajo vlerësoi se Kosova është prapa në rregullimin e IA dhe se nevojitet mobilizim i aktorëve të fushës për ndërtimin e një qasjeje ligjore dhe vetërregulluese.

Nevojën për bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe për vendosjen e standardeve që mbrojnë interesin publik e ka vënë në pah edhe Niman Racaj nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Ai vlerësoi se IA kërkon qasje të re dhe gjithëpërfshirëse.

Roli njerëzor në gazetari duhet të ruhet, tha Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i cili theksoi shqetësimet e gazetarëve lidhur me përdorimin e IA. Ai vuri theksin edhe te përdorimi i përgjegjshëm dhe etiketimi i përmbajtjeve ku përdoret kjo intelegjencë.

Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) tha se aktorët që dezinformojnë me IA janë shpesh përpara mediave tradicionale. Ai nënvizoi përgjegjësinë e mediave ndaj publikut dhe nevojën për avancim të standardeve profesionale.

Të rëndësisë së madhe i vlerësoi përditësimin e kurrikulave dhe edukimit mediat, Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai vlerësoi se IA duhet të përfshihet në kornizat ekzistuese rregullative me parime të qarta etike dhe transparencë.

telegrafi.com

Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP theksoi se IA nuk është rrezik në vetvete, por teknologji që përshpejton proceset ekzistuese.

Se ndërtimi i rregullativës duhet të bazohet në standardet evropiane dhe në gjithëpërfshirjen e aktorëve relevantë, e tha edhe Pajtim Gashi nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).

Ndërkaq, Hyrije Mehmeti nga Hibrid.info prezantoi gjetje nga raporti i fundit i publikuar “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, me fokus në tema që lidhen me Kosovën dhe rajonin. Ajo theksoi rrezikun e trajtimit të IA si burim primar informacioni.

Nga diskutimi dolën disa rekomandime kryesore, përfshirë nxitjen e etiketimit vullnetar të përmbajtjeve të gjeneruara me IA në media, përditësimin e kodeve editoriale dhe etike, trajnime për gazetarë dhe redaktorë, si dhe ndërtimin e një modeli kombëtar të vetërregullimit për IA në media dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu, u theksua rëndësia e harmonizimit gradual të Kosovës me standardet evropiane në këtë fushë.

Hibrid.info e sheh këtë tryezë si një nisje – ende jo të formalizuar – për të menduar së bashku për një qasje vetërregulluese dhe bashkëpunuese. Një proces ku aktorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në ndërtimin e standardeve etike, dokumenteve orientuese, modeleve të transparencës dhe praktikave profesionale për përdorimin e AI në media.

Si përfundim, IA nuk është kërcënim për median. Mungesa e rregullimit, transparencës dhe koordinimit është rreziku real. /Hibrid.info/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More