11 Maji – Celibashi takon Prodën: Angazhim për një proces zgjedhor të sigurt

nga D. V.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas njoftimit të KQZ-së “diskutimet u përqendruan në koordinimin ndërinstitucional dhe detyrimet ligjore të Policisë së Shtetit për të garantuar një proces zgjedhor të sigurt, të qetë dhe në përputhje me standardet demokratike”.

Në veçanti, u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes KQZ-së, Policisë së Shtetit, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të Protokollit të Koordinimit për periudhën zgjedhore.

Ky bashkëpunim sipas KQZ-së “synon parandalimin dhe adresimin e çdo shkeljeje që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor”.

KQZ njoftoi se “gjatë takimit, diskutuam në detaje mbi: Zbatimin e masave të sigurisë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor; Parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore, në përputhje me ligjin; Sigurimin e qendrave të votimit dhe të numërimit të votave, duke garantuar një mjedis të qetë për zgjedhësit dhe administratën zgjedhore; Trajnimin e strukturave policore mbi detyrimet e tyre në kontekstin zgjedhor, me qëllim respektimin maksimal të ligjit dhe paanshmërisë”.

KQZ theksoi se “angazhimi i institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve mbetet thelbësor për të garantuar një proces të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët”.

“KQZ do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Shtetit dhe organet e drejtësisë për të siguruar që çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar në një mjedis të sigurt dhe demokratik”, njoftoi KQZ.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More