Italia ka hedhur hapin e radhës për të transferuar emigrantë drejt kampit të Gjadrit.
Sipas mediave italiane anija e marinës ‘Libra’ u nis pak minuta më parë nga Brindisi me 40 emigrantë në bord, të cilët janë të destinuar për t’u vendosur në Gjadër, kampin e kthyer me dekret të qeverisë italiane në CPR (Qendra e Paraburgimit për Riatdhesimin).
Vendimi erdhi pas miratimit të dekretit të 28 marsit, i cili lejon transferimin jo vetëm të azilkërkuesve të kapur në det, por edhe të emigrantëve të parregullt, të cilëve komisioneri i policisë u ka dorëzuar dekretin e dëbimit dhe një gjyqtar ka vërtetuar qëndrimin e tyre në një CPR.