Makinat elektrike një hap drejt një mjedisi më ekologjik!

nga I.A

Shkup, 29 maj – Qytetarët e Shkupit kanë në dispozicion shërbimin e parë të makinave elektrike me qira, të cilin e ofron sistemi “Avant2Go”. Çmimi 22 denarë për kilometër dhe 5 denarë për minutë qëndrimi e bën këtë shërbim të aksesueshëm për shumë qytetarë, sidomos për ata që nuk posedojnë automjete private por që kërkojnë zgjidhje fleksibile dhe të pastra për transportin urban. Ky hap vjen në një kohë kur Shkupi përballet me nivele alarmante të ndotjes së ajrit, një problem kronik që ka bërë qytetin të renditet shpesh në listat evropiane për ajrin më të ndotur, shkruan Zhurnal.

Pa ndotje dhe pa zhurmë –

Siç u theksua nga ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, automjetet elektrike kontribuojnë drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ajrit dhe të zhurmës urbane. Një makinë car-sharing zëvendëson deri në 15 makina private, duke liruar hapësira parkimi dhe duke ulur ngarkesën në infrastrukturën rrugore.

Por ndikimi real i këtij shërbimi do të varet nga shkalla e përdorimit nga qytetarët. Nëse ky model mbetet ekskluziv për një grup të vogël përdoruesish ose përballet me pengesa infrastrukturore (mungesë vendparkimesh, aplikacion jo funksional, etj.), ndikimi në cilësinë e ajrit do të jetë simbolik.

Suksesi i projekteve të tilla kërkon përfshirjen aktive të komunave, vendosjen e infrastrukturës së nevojshme (karikues elektrikë, hapësira të dedikuara parkimi) dhe inkurajimin e përdorimit përmes politikave fiskale. Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, u shpreh optimiste për përfshirjen e të rinjve, por kjo kërkon më shumë sesa shpresë kërkon arsimim mjedisor, vetëdijesim dhe incentivim konkret.

Avant2Go duhet të mos jetë thjesht një projekt pilot, por pjesë e një strategjie afatgjatë për transformimin ekologjik të transportit në Shkup dhe qytete të tjera.

Kur mjedisi bëhet edhe ekonomi –

Ky projekt nuk është vetëm për ajrin është edhe për ekonominë e re urbane. Ndarja e makinave ul nevojën për pronësi individuale, çka do të thotë më pak kosto për familjet, më pak konsum energjie, më pak makineri në rrugë. Përveç ndikimit ambiental, ky është edhe një model ekonomik më i qëndrueshëm dhe i drejtë.

Naë një kohë kur Ballkani Perëndimor përpiqet të përmbushë kriteret e tranzicionit të gjelbër evropian, projekte si ky janë test real i vullnetit politik dhe i gatishmërisë institucionale. Deklaratat për rritjen e flotës deri në 1.000 makina elektrike brenda 2-3 viteve janë të mirëpritura, por duhet të mbështeten me masa mbështetëse, partneritete publike-private dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët.

Një qytet më ekologjik nuk ndërtohet me teknologji të huaj, por me politikë të mençur vendase, planifikim urban të integruar dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Kjo ndihmon dhe lehtëson jetën e qytetarëve tanë. Urojmë që nismat e tilla të shpeshtohet e të mbështeten maksimalisht nga institucionet e vendit, pasi kjo flet për një vetëdije të lartë shtetërore dhe qytetare për një të ardhme të ndritshme, më të sigurt, në mjedis më të pastër e ekologjik. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More