Nga: Constance Higgins / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një të mërkurë të nxehtë të vitit 1973, gjatë një kërkimi, shkrimtarja Alice Walker u fut mes hithrave dhe kodrave të mbushura me milingona në Floridë. Nën këmbët e saj ndodheshin banorët e varrezës “Kopshti i Prehjes Hyjnore”, në Fort Pirs, megjithëse kjo nuk mund të kuptohej nga pamja që ofronte vendi. Varreza ishte lënë në harresë, e mbuluar nga barërat e këqija. Duke u bazuar në informacionin e dhënë nga drejtori i morgut lokal, Walker arriti në qendër të vendit, ku gjeti një zonë të harruar. Aty vendosi një gur përkujtimor me mbishkrimin:
“Zora Neale Hurston. ‘Një gjeni nga Jugu. Romanciere, folkloriste, antropologe. 1901-1960’”.
Hurston mbarte një histori të tillë. Sipas një letre të shkruar më 1953, ajo kishte qenë prej kohësh “nën magjepsjen e një obsesioni të madh” – të shkruante “historinë e jetës së Herodit të Madh”. Megjithatë, dështuan përpjekjet për të përfunduar librin. Një shënim drejtuar [shtëpisë botuese] Harper Brothers në janar 1959, shkruar me një dorë të dridhur nga pasojat e një sulmi në tru, ishte përpjekja e saj e fundit për të gjetur një botues; ajo vdiq vitin tjetër. Dorëshkrimi i papërfunduar, Jeta e Herodit të Madh [The Life of Herod the Great], mbeti në arkivat e Hurstonit në Universitetin e Floridës. Por, shtëpia botuese HarperCollins, në një përpjekje për të korrigjuar gabimet e së shkuarës, e ka nxjerrë tashmë në dritë.
Nuk mund të shmanget vendosmëria e saj për ta shpëtuar heroin nga një padrejtësi e pabazë. Por, ky entuziazëm ka një çmim: mungon nuanca tipike e Hurstonit. Detajet historike, me të cilat ajo ndërton Judenë para-Kristiane, janë në kontrast me monotoninë e heroit të saj. Rrallë ndodh një skenë ku Herodi nuk përshëndetet nga “brohoritje të shumta”, dhe çdo grua me mendje të shëndoshë, nga Kleopatra te vetë motra e Herodit, e adhurojnë atë si një “idhull”. Madje edhe rrëfimi i Hurstonit është i pabesueshëm: i habitur nga “fitoret e tij të pashtershme”, ajo arrin në përfundimin se Herodi thjesht “nuk mund të konceptonte dështimin”. Rehabilitimi është i plotë.
Jeta e Herodit të Madh është më interesante si një artefakt tekstual. Pjesë të rrëfimit mungojnë; teksti mbahet bashkë nga nyje të tilla si tri pika (…). Rezultati është një emocion i zbehtë: rrëfimi i copëtuar anashkalon skena të rëndësishme, nga humbja e një babai te shpërbërja e një martese. Ndoshta Hurstoni e ka shtyrë për më vonë shkrimin e momenteve më të fuqishme dhe vdiq para se të mund të riparonte këto boshllëqe. Megjithatë, është interesante të shohësh punën e “Gjeniut nga Jugu”. Ka një lloj kënaqësie në këto boshllëqe.
