Shkup, 29 tetor- Në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut figurat rrallëherë lindin si rrufe, por edhe më rrallë qëndrojnë të pandryshueshme në parime. Rasti i Arben Fetait është ndër më domethënësit në këtë drejtim një kuadër i ri, i formuar, me gjuhë të matur politike dhe me një vizion që dikur u pa si përpjekje për ta shpëtuar Aleancën për Shqiptarët nga fortunat e egove të mëdha. Por pikërisht mes Taravarit dhe Selës, dy liderë që e ndërtuan dhe më pas e copëtuan Aleancën, lind pyetja a doli Fetai triumfues nga kjo betejë? shkruan Zhurnal.
Vendimi i “Pa mua, pa neve” një kthesë politike me simbolikë –
Deklarata e zëvëndëskryeministrit, Arben Fetait, shkaktoi jehonë në nivel vendi sidomos tek aktivistët e Aleancës për Shqiptarët të cilët këtë të fundit e shohin si shpëtimtarë të partisë së tyre.
“Vendimi më i lehtë dhe më i drejtë që kam marrë në jetën time politike ka qenë dita kur i thashë Arben Taravarit: “Pa mua, pa neve”. Pa ne, sepse ishte gabim. Gabim në qasje, gabim në logjikë, gabim në përllogaritje, gabim në gjithçka. Shkoi për gjashtë komuna, ra në katër dhe në fund mbeti me zero. Por ai kishte matematikat e veta. ASH-ja as që i interesonte. Prandaj mori vendimin që mori dhe u strehua te Ali Ahmeti, të cilin e shante me gjithë qenien e tij. Bashkë bënë fushatë për “shqiptari” dhe për “referendum”, ndërsa me partnerin e ri të vjetër, Ziadin Selën, as që flisnin. Dhe kështu, u turpëruan bashkë”, ka shkruar zëvëndëskryeministri, Arben Fetai.
Taravari dhe kalkulimet e humbjes –
Kur Arben Taravari vendosi të prishë bashkëpunimin me Selën dhe të orientojë Aleancën drejt VLEN-it u pa si një fyrmë ndryshimi dhe shprese. Por, kur nuk arriti dot ta merr drejtimin e VLEN-it, u largua dhe përfundoi aty ku kishte shkuar një vit më parë Ziadin Sela, në BDI. një Për Fetain, ishte humbje e shpirtit të opozitës. “Pa ne”, tha ai, sepse pa atë grup idealistësh që kishin ndërtuar besimin në terren, Taravari humbi identitetin opozitar. Në emër të “reformës”, ai përqafoi modelin e vjetër të “mbijetesës për pushtet”.
Sot, me tone ironike politike, duket sikur historia i dha të drejtë Fetait. Taravari, që dikur përmendte “fitore 3 me 1”, sot mburret me “25 për qind”, duke i lënë votuesit në konfuzion e strukturën në kaos. Të gjitha këto e bëjnë më të qartë se për çfarë “gabimi” fliste Fetai atë ditë kur vendosi të ndahet.
Sela dhe Taravari të heshtur e të kapluar nga dështimi –
Në anën tjetër, Ziadin Sela mbeti figura e heshtur e një revolucioni të përfunduar. Ai dhe Taravari, dikur shokë në ideal dhe kundërshtarë të përbashkët të BDI-së, sot janë të ndarë nga një mur mosbesimi. Dhe në mes tyre, Fetai doli si zëri i ndërgjegjes së humbur, që kërkonte të ruante frymën origjinale të ASH-së atë anti-konformiste, anti-korruptive, anti-klanore.
Në realitet, ai nuk u largua nga Taravari por Taravari u largua nga vetja. Dhe për këtë, Fetai sot flet me bindjen e njeriut që e ka ndier kolapsin përpara se të ndodhë. Arben Fetai si një politikan i përfshirë nga shpresë profesionale në simbol të frymës së pastër politike
Në fillimet e tij, Arben Fetai u perceptua si shpresë e re për politikën shqiptare në vend një kuadër me formim akademik, mendim kritik dhe sens të lartë qytetar. Në një skenë politike të lodhur nga populizmi dhe tribalizmi partiak, ai solli një frymë racionale e moderne që synonte reformimin e ASH-së dhe pastrimin e saj nga varësia prej liderëve tradicionalë.
Por ndërsa proceset brenda partisë u kthyen në përplasje personalitetesh dhe jo idesh, Fetai u detyrua të zgjedhë të mbrojë frymën, jo strukturën. Dhe kjo zgjedhje e bëri atë figurë të veçantë në një kohë kur shumë të tjerë zgjodhën heshtjen për interes.
Sot, për shumë aktivistë të zhgënjyer të ASH-së, Arben Fetai përfaqëson mbeturinën e fundit të moralit politik brenda atij kampi. Fetai fitoi betejën për koherencë, dhe kjo në politikë shpesh është triumfi më i madh. Dhe vendimi i Arben Fetait për t’i thënë “jo” kompromisit pa parim, do të mbetet një nga ato momente të rralla kur politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut tregoi se ende mund të ketë dinjitet. /Zhurnal.mk
