A u shndërrua BDI-ja në “ШАРЕНА РЕВОЛУЦИЈА”?

nga I.A

Shkup, 19 gusht – Kur një parti politike humb simbolin e vet ajo në fakt humb edhe një pjesë të identitetit. Ky është gabimi strategjik që BDI-ja e bëri me rikthimin e kartës “patriotike” dhe me logon e re një hap që jo vetëm që e zbeh narrativën e saj historike por edhe i jep sinjale publikut se partia është në një krizë të thellë identiteti. BDI-ja ishte themeluar si parti e dalë nga lufta me pretendimin se përfaqësonte sakrificën dhe idealin e kombit shqiptar në Maqedoni të Veriut. Të humbësh atë simbolikë është të pranohet në heshte se trashëgimia e dikurshme nuk mjafton më për të fituar besim, shkruan Zhurnal.

BDI e ka humbur orientimin në hapësirë-

Në vitet e para pas konfliktit të vitit 2001 BDI-ja e Ali Ahmetit mbijetoi politikisht duke u mbështetur mbi narrativën e luftës. Në çdo palë zgjedhje, ajo thoshte “Ne ishim ata që luftuam, pra ne meritojmë ta qeverisim.” Por me kalimin e viteve, ky mesazh u konsumua duke parë se tani më votues ishin edhe gjenerata që nuk e kishin përjetuar luftën.

Brezi i ri nuk e sheh luftën si burim legjitimiteti, por si pretekst për korrupsion, klientelizëm dhe stagnim. Në këtë pikë, BDI-ja kërkoi një “rimodelim” por në vend që të ndërtonte një vizion të ri, ajo përfundoi duke ricikluar kartën “patriotike” në një formë më të zbehtë. Logoja e re është vetëm shenja më e dukshme e kësaj lëvizjeje qëë po shkon drejt shpartallimit.

Bashkimi me parti të tjera qofshin ato të Ziadin Selës, Taravarit apo aktorë të tjerë politikë është një hap që në teori tingëllon si unifikim shqiptar, por në praktikë ngjan më shumë si frikë nga humbja. Në vend që të tregojë forcë, ky “bashkim” sugjeron dobësi BDI-ja nuk është më e sigurt se mund t’i fitojë zgjedhjet lokale e as të mbajë epërsinë brenda kampit shqiptar pa aleanca artificiale. Pyetja e madhe është se a është ky “bashkim kombëtar” në funksion të interesave shqiptare, apo vetëm një manovër për mbijetesën e elitës së vjetër politike?

Rreziku më i madh është se në këtë proces, BDI-ja po tretet në një “parti të re” pa identitet të qartë. Duke hyrë në një koalicion që më shumë duket si një “shtëpi për mbijetesë politike” sesa si projekt i ri vizionar, BDI-ja rrezikon të tretet e të humbasë profilin e saj. Pyetja është nëse Ali Ahmeti po mendon për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme, apo thjesht për të ruajtur kontrollin mbi strukturën e pushtetit edhe në fazën e fundit të karrierës së tij politike.

Nga “shqiponja” tek “revulucioni laraman” –

Kur dikush pyet nëse BDI-ja u shndërrua në “Шарена Револуција”, përgjigjja është ironike. Ajo që dikur ishte simbol i sakrificës kombëtare, sot është kthyer në një logo të re që nuk ngjall emocion, por më shumë konfuzion. Nga një parti që e identifikonte veten me flamurin, tani shfaqet një formë e paqartë, shumëngjyrëshe, që synon të pëlqejë të gjithëve por në fakt nuk përfaqëson askënd.

BDI-ja ka hyrë në një moment ku identiteti i saj është në pikëpyetje. Logoja e re nuk është thjesht një gabim estetik, por një simbol i krizës së thellë politike. “Bashkimi kombëtar” me parti të tjera është më shumë një manovër frike për të mos humbur pushtetin sesa një projekt serioz për të ardhmen. Dhe nëse kjo rrugë vazhdon, rreziku real është që BDI-ja të mos mbetet më as BDI, as “patriotike”, por thjesht një projekt i dështuar. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More