Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në një njoftim publik bën me dije se ka bllokuar gjalpë, djathë dhe gjizë në një baxho në Fier, produkte të cilat tregtoheshin pa etiketë.
Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së, përmes Sektorit të Monitorimit dhe Hetimit Ushqimor, referuar indicios së ardhur, ka kryer kontroll zyrtar në një subjekt me aktivitet “Baxho/Përpunim qumështi” në qarkun e Fierit.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit zyrtar, trupa inspektuese konstatoi se subjekti ushtronte aktivitetin në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, nuk implementonte sistemin e vetëkontrollit (HACCP), si dhe tregtonte produkte pa etiketë. Për këto shkelje, u vendos masa e bllokimit për një sasi produktesh të pasigurta, konkretisht:
• 1 mijë e 400 kg krem gjalpi;
• 2 mijë e 415 kg moxarella;
• 90 kg gjalpë i freskët lope;
• 100 kg gjizë;
• 18 kg moxarella (kova).
Sipas AKU, për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit është marrë masa administrative “Gjobë” në vlerën e dyqind e pesëdhjetë mijë lekë, ndërsa produktet e pasigurta janë bllokuar me destinacion asgjësimin e tyre.

