Shkup, 20 shtator – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendësministrin Jovica Andovski përshëndetën të pranishmit në hapjen e Shkollës Sindikale të 27-të të Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në një kohë rekord realizuam mbi 1.250 punësime në 85 institucione publike shëndetësore në mbarë vendin, si pjesë e procesit strategjik për fuqizimin kadrovik të sistemit shëndetësor. Paralelisht po e zbatojmë edhe procesin për punësimin e specializantëve privatë, me të cilin po zgjidhim një problem ekzistencial shumëvjeçar të kësaj kategorie punonjësish shëndetësorë. Sindikata e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale është partneri ynë me të cilin, përmes përpjekjeve të përbashkëta, punojmë për përmirësimin e statusit të çdo punonjësi shëndetësor në vend”, theksoi ministri Aliu në video-adresimin e tij.
Ai gjithashtu theksoi se Qeveria ka realizuar një rritje të rëndësishme të pagave për punonjësit shëndetësorë, konkretisht në shumë prej 4.815 denarë neto për të gjithë punonjësit shëndetësorë, ndërsa për infermieret kjo rritje arrin deri në 6.200 denarë. Kjo masë përfaqëson një vlerësim thelbësor të punës së personelit mjekësor.
Zëvendësministri Andovski në fjalimin e tij theksoi se Ministria e Shëndetësisë është e hapur për bashkëpunim me sindikatën.
“E respektojmë dinjitetin e mjekëve dhe të gjithë stafit që janë mbrojtësit e shëndetit të qytetarëve. Ministria e Shëndetësisë është e hapur për bashkëpunim me sindikatën dhe së bashku do të vazhdojmë të zgjidhim të gjitha çështjet dhe sfidat e hapura, me qëllim që t’i dalim në ndihmë punonjësve shëndetësorë dhe, sigurisht, pacientëve”, tha Andovski.