Andonovski për Sistemin IPB: Do të kemi një sistem të cilit mund t’i besojmë

nga D. V.

Shkup, 27 gusht – Sistemi i Integruar i Planifikimit të Burimeve (Sistemi IPB) ka mbetur pa mirëmbajtje për dy vjet, por që nga janari, po punohet intensivisht për përmirësimin e tij. Ne po i monitorojmë nga afër vëzhgimet e Entit Shtetëror të Revizionit dhe pas këtyre vëzhgimeve, do të kemi rezultate të shkëlqyera. Do të kemi një sistem të cilit mund t’i besojmë dhe që do të jetë në dispozicion të institucioneve jashtë Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), siç janë agjencitë, komunat,… të cilat ende kryejnë operacione financiare materiale në letër, “në këmbë”, tha sot Ministri i Transformimit Dixhital Stefan Andonovski.

Sipas Andonovskit, sistemi është tashmë funksional dhe modulet do të bëhen publike ashtu siç do të zhvillohen.

“Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit është publikuar. Fatkeqësisht, sistemi mbeti pa mirëmbajtje për dy vjet. Pas lidhjes së marrëveshjes në janar të këtij viti, filluam një plan serioz veprimi për të kapërcyer mangësitë. Janë kryer teste sigurie dhe mbrojtjeje të përdoruesve dhe të dhënave dhe tani po testohet lidhja me adresat elektronike zyrtare të të gjithë përdoruesve. Me përfundimin e kësaj pakete, do të kemi një sistem të cilit mund t’i besojmë. Ky sistem do të jetë i disponueshëm për institucionet jashtë SHPPP-së, agjencitë, komunat që kryejnë operacione financiare materiale në letër, “në këmbë”, me email. Tani ata do të jenë në gjendje të punojnë përmes sistemit tonë, vuri në dukje ministri, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas lëshimit në funksion të zyrës së re për shërbime administrative në territorin e komunës, “ETU Sveti Nikollë”.

Ai njoftoi gjithashtu se sistemi do të lidhet me punën e thesarit.

“Këtë javë testuam në Ministrinë tonë. Nuk kemi më nevojë për kontabilistët nga SHPPP sepse punonjësit tanë në Sektorin e Financave i bëjnë vetë llogaritjet dhe në fazën tjetër do të doja, me qëllim optimizimin e punës së SHPPP, çdo institucion, ministri, t’i bëjë vetë llogaritjet dhe shpresoj se duke zhvilluar këto module do ta përmirësojmë edhe më shumë punën e sistemit”, theksoi Andonovski.

Në një raport të publikuar pardje, ESHR-ja arriti në përfundimin se sistemi që duhet të monitorojë operacionet financiare të 40 institucioneve shtetërore nuk mirëmbahet dhe se atyre u mungon monitorimi dixhital në kohë dhe i plotë i shërbimeve të kontabilitetit dhe financiare, përfshirë dhjetë ministri përmes të cilave kalon pothuajse 19 përqind e buxhetit të shtetit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More