Gjykata Kushtetuese, kaloi sot për shqyrtim ankimimin e bërë nga Kryeministria për masën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku.
Kolegji i përbërë nga Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, sipas medieve vendosi të kalojë çështjen në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses, e cila ende nuk dihet se kur do të mbahet dhe nëse do të jetë transparente për publikun.
Qeveria kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e ministres Balluku nga detyra.
GJKKO ka vendosur dy masa sigurie për Ballukun, atë të pezullimit nga detyra dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit.
