Arben Taravari si lider i tranzicionit jo i vizionit!

nga I.A

Shkup, 22 shtator – Kur Arben Taravari deklaron se Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) është thjesht një “projekt kalimtar”, në fakt nuk po flet vetëm për një koalicion të përkohshëm po tregon diçka më të thellë mbi mënyrën se si e koncepton politikën si një strehë e përkohshme, një hapësirë manovrimi, një taktizim që s’ka garanci për nesër. Dhe kjo pyetje ngrihet vetvetiu nëse edhe bashkëpunimet më strategjike të tij janë të përkohshme, cili është projekti i tij afatgjatë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? shkruan Zhurnal.

Taravari ndërtoi karrierë mbi shpinën e të tjerëve –

Historia politike e Taravarit është një varg kalimesh dhe shpëtimesh të përkohshme. Nga sjellja përreth këmbëve të Menduh Thaçit, te ngritja përmes Ziadin Seles e deri tek mbështetja e VMRO-së për ta fituar Gostivarin. Çdo hap i tij ka pasur një element të përbashkët fitoret e Taravarit kanë ardhur mbi kurrizin e të tjerëve. Ai ka ditur të mbijetojë aty ku të tjerët janë djegur, por kurrë nuk ka ndërtuar një bazament politik të qëndrueshëm që ta mbante vetë peshën.

Në Gostivar u ngrit falë kalkulimeve të VMRO-së dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të mohohet. Në skenën qendrore u bë figurë falë Seles, duke e përdorur Aleancën për Shqiptarët si trampolinë për imazhin e tij. Sot, sërish futet në një bashkëpunim me BDI-në e Ali Ahmetit përmes “projektit” AKI duke e paraqitur si domosdoshmëri për integrimin europian. Por si gjithmonë ai lë të hapur derën e daljes kur të arrihet qëllimi, s’ka më arsye të ekzistojë.

Retorika e përkohshmërisë –

Në politikë, retorika nuk është vetëm fjalë është kontratë e nënshkruar me publikun. Kur një lider e quan projektin e vet të përkohshëm, në fakt po pranon se nuk ka vizion afatgjatë, nuk ka strategji që shkon përtej një cikli zgjedhor. Integrimi evropian përdoret si mburojë retorike, por në thelb nuk jep përgjigje se ku e sheh Taravari rolin e shqiptarëve pas hapjes së negociatave. Çfarë ndodh më tej? Kush mban peshën politike të shqiptarëve në shtetin multietnik?

Përgjigja është e qartë Taravari nuk ka një narrativë të qëndrueshme. Ka vetëm projekte kalimtare, manovra të momentit, interesa të çastit. Një lider që nuk ofron vizion afatgjatë, e shndërron besueshmërinë në mall të konsumit të shpejtë.

Sot është me BDI-në, nesër është kundër saj sot ka aleancë kombëtare, nesër thotë nuk ka nevojë. Një politikë e tillë është e rehatshme për individin që manovron, por e rrezikshme për komunitetin që pret përfaqësim të denjë dhe të konsoliduar. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të jetojnë gjithmonë në eksperimente kalimtare.

Taravari si lider i tranzicionit jo i vizionit –

Arben Taravari, me deklaratat e tij për AKI-në na dëshmon edhe një herë se është lider i tranzicionit, jo i vizionit. Ai di të lëvizë në terrene të paqëndrueshme, di të mbijetojë në çdo furtunë, por nuk di ose nuk do të ndërtojë një projekt politik të qartë dhe të qëndrueshëm. Për aq kohë sa politika e tij mbetet e përkohshme, edhe besueshmëria e tij do të mbetet po aq kalimtare. Dhe ky është dënimi më i madh për një lider të perceptohesh jo si arkitekt i së ardhmes, por si manovrues i përkohshëm i të tashmes.

Kujtojmë që, memoria e qytetarëve është më e gjatë sesa vizioni politik i Taravarit dhe gjithë këto manovra nuk do mend që nuk kalojnë aq lehtë pa ndëshkim. Manovrat e tilla pa u sukuqur fare qytetarët nuk mund t’i gëlltisin aq lehtë, prandaj do të vijë dita të shpreh secili qytetarë revoltën e trajtimit jo adekuat nga ana e politikanëve shkurtpamës. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More