Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi sot opozitën që të paraqesë emrat e anëtarëve të komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, në mënyrë që komisionet të nisin menjëherë punën për adresimin e të gjitha çështjeve që janë objekt shqyrtimi.
Në një deklaratë për medie nga kryesia e Kuvendit, Balla u pyet mbi qëndrimin e PS-së për propozimin e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike për krijimin e dhomës së Senatit.
Balla kujtoi se në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së në muajin shtator, kryeministri Edi Rama ka propozuar edhe ndryshimin e numrit të deputetëve në Kuvend nga 140 që janë aktualisht në 101 deputetë.
Qëllimi, sipas tij, “nuk është çështje numrash por ka të bëjë me rolin e deputetit dhe jetën parlamentare”.
“Këtu përfshihet një punë intensive prej disa muajsh që është në një fazë përfundimtare dhe ka të bëjë me një ligj për organizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Jemi i vetmi institucion që për nga natyra jemi në majën e piramidës, rregullojmë me ligj të gjitha institucionet e tjera dhe nuk kemi rregulluar veten. Këtu përfshihet edhe ligji për statusin e deputetit”, tha Balla.
Të gjitha këto propozime, sipas tij, do të adresohen nga komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Ndaj Balla kërkoi nga kryetarët e tre grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend të paraqesin emrat e anëtarëve në mënyrë që komisioni të fillojë nga puna pa humbur kohë.
“Të gjitha këto propozime, ne do t’i depozitojnë në komision. Edhe kryetari i PD-së është i lutur t’i depozitojë propozimet e tij në komisionin përkatës”, tha Balla.
Lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Balla tha se PS nuk e ka sot një emër për ta mbështetur.
“Jemi ende në fazën që mund të shprehin interesin të gjithë ata që mund të mendojnë për që mund të japin kontributin e tyre për të qenë Avokat i Popullit. Propozimi im është institucionalizimi i një komunikimi opozitë-mazhorancë në funksion të dhënies fund të kësaj situate të papranueshme ku një institucioni kushtetues si Avokati i Popullit i ka mbaruar mandati dhe Kuvendi nuk e ka zgjedhur ende”, shtoi Balla.
