Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në një komunikim me gazetarët se PS nuk do të propozojë një kandidat për Avokatin e Popullit, por do të mbështesë kandidaturat që vijnë nga ana e opozitës.
Balla e bëri këtë deklaratë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS, ndërsa tha se “ligji për Avokatin e Popullit, nuk imponon kushtin që një deputet të firmosë për një kandidat, pra lejohet që të firmosë për më shumë se një kandidat”.
“Të presim deri sot, dhe në ditët në vijim pasi të kemi shqyrtuar në grupin parlamentar kandidaturat që janë propozuar nga opozita, më pas do të komunikojmë se cilin/ën do të mbështesim. Parlamenti zgjedh kandidaturën që merr 84 vota, ose më shumë. Ne do të shprehemi për këto kandidatura në momentin që përmbyllet afati. Pa u përmbyllur nuk mund të shprehemi sepse mund të ketë kandidatura të tjera më të mira se këto”, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët nëse rrezikon që të mos zgjidhet Avokati i Popullit për sa kohë që kandidaturat janë lënë në dorë të opozitës, Balla theksoi se “kjo është më e mira e mundshme, pra në kushtet që ne jemi tërhequr nga propozimi dhe do të votojmë një prej kandidaturave të propozuara nga opozita”.
