Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “përpjekjet e shumicës parlamentare tanimë në kufijtë e 3/5 janë që t’i japim Shqipërisë një Avokat Populli edhe në vizionin Shqipëria 2030, anëtare e BE-së”.
Në një prononcim për mediet, Balla theksoi se “Avokat i Popullit do të jetë dikush që përmbush profesionalisht parashikimet që ka Kushtetuta dhe ligji ‘Për avokatinë’, jo anëtar i një partie politike, por një përfaqësues i nderuar i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit”.
“Nuk mund të jap një parashikim, sepse ju e dini që ky proces pikësëpari niste me vetofrimin. I bëj thirrje të gjithë atyre që përmbushin kriteret të aplikojnë, dhe pas këtij procesi thirrja tjetër shkon për grupet parlamentare të opozitës në Kuvend. Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën ta mbajnë peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, theksoi Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se “jemi këtu në këtë situatë tre vjet me vonesë për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e opozitës për t’u bërë pjesë e këtij procesi”.
“Tanimë nuk e kanë as mbajtjen peng të këtij procesi, sepse nëse opozita nuk do të dojë të bëhet pjesë jemi të detyruar t’i japim Shqipërisë Avokatin e ri të Popullit”, tha Balla.