Punimet për ndërtimin e aksit të ri rrugor Elbasan-Qafë Thanë, me gjatësi rreth 50 km, po përparojnë me ritme të larta, duke marrë formë çdo ditë e më shumë.
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se 70% e punimeve të fazës së dytë janë tashmë të përfunduara.
Sipas saj, nënkalimi i hekurudhës dhe mbikalimi automobilistik janë ndërtuar, ndërsa po ecet me ritme të shpejta në formimin e trupit të rrugës.
“80% e trasesë është hapur dhe po punohet me shtresat rrugore, ku ka përfunduar aplikimi i konglomeratit bituminoz dhe binderit”, theksoi Balluku.
Ky aks, që do të lidhë Portin e Durrësit me Pikën Kufitare Qafë Thanë, për të vijuar më tej drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është pjesë e Korridorit VIII. Rruga do të jetë e kategorisë B, me katër korsi lëvizjeje dhe do të mundësojë një shpejtësi maksimale prej 110 km/orë.
Projekti parashikon gjerësi korsie prej 3,75 metra secila, me 1,8 metra trafikndarëse në mes të gjelbëruar dhe anësoret në anën e bregut të lumit.
Rruga do t’iu vijë në ndihmë rajoneve të Elbasanit dhe Korçës për zhvillimin e turizmit, duke shkurtuar ndjeshëm distancën kohore të udhëtimit.
Korridori VIII është pjesë e korridoreve europiane, ndërkohë që një komponent tjetër i tij është edhe ndërtimi i linjës hekurudhore, një projekt për të cilin Qeveria Shqiptare ka avancuar ndjeshëm.
 
			        
 
			        