Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, foli sot për tregues të përmirësuar të rrjetit energjetik shqiptar, gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.
Balluku theksoi se humbjet në rrjetin e shpërndarjes janë reduktuar ndjeshëm, nga 45% në vitin 2013 në 16,9% në fund të vitit 2025.
Ndërkohë, niveli i arkëtimeve ka arritur 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013, një tregues, sipas saj, i qartë i rritjes së eficiencës dhe menaxhimit modern të sektorit energjetik.
Ajo shtoi se përmirësimet në rrjet janë të shoqëruara me rritje të kapaciteteve gjeneruese dhe përditësime teknologjike të rrjetit të shpërndarjes në zonat qendrore dhe rurale, duke siguruar mbulim të plotë të konsumit vendas dhe eficencë maksimale.
“Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë arritur nivelin më të ulët historik, ndërsa avaritë zakonisht rikuperohen brenda disa minutash. Përditësimet teknologjike të rrjetit të shpërndarjes vazhdojnë rregullisht në zonat qendrore dhe rurale, ndërkohë që rehabilitimi i plotë i HEC-eve në kaskadën e Drinit është në proces”, theksoi ajo.
