Barcelona e ‘përshëndet’ Lewandowskin, gjen pasuesin adekuat

nga D. V.

Barcelona ka nisur të mendojë seriozisht për të ardhmen e repartit ofensiv, me fokus të veçantë te zëvendësimi i Robert Lewandowskit.

Sulmuesi polak është tashmë 37 vjeç dhe klubi është në kërkim të një numri “9” të ri, që mund të mbajë peshën e sulmit për vitet e ardhshme.

Kjo nuk është hera e parë që Barcelona është përpjekur ta nxjerrë në pension sulmuesin legjendar para kohe.

Sipas Sport, drejtuesit katalanas kanë identifikuar një nga zbulimet më të mëdha të këtij sezoni si objektiv kryesor.

Bëhet fjalë për Karl Etta Eyong, një sulmues 21-vjeçar nga Kameruni, që ka shkëlqyer në La Liga.

Pas një fund sezoni mbresëlënës me Villarrealin në 2024/25, talenti afrikan e ka nisur edhe më fuqishëm sezonin aktual me fanellën e Levantes.

Në tetë ndeshje të zhvilluara deri më tani, ai ka regjistruar pesë gola dhe tre asistime, duke kaluar tashmë shifrën e 600 minutave në fushë.

Ky interesim vjen në një moment jo të lehtë për Barcelonën. Pas një fillimi pozitiv të sezonit, katalanasit pësuan një humbje të thellë 4-1 ndaj Sevillës para pushimit ndërkombëtar.

Kritikat kanë qenë të shumta ndaj trajnerit Hansi Flick për stilin e tij agresiv, por gjithashtu edhe ndaj vetë Lewandowskit, i cili humbi një penallti të rëndësishme dhe pati një performancë të zbehtë.

Sulmuesi polak është vënë sërish në qendër të kritikave, ashtu si edhe sezonin e kaluar kur pati një rënie në formë.

Megjithëse ai mbetet një emër i madh në futbollin europian, kontributi i tij në fushë nuk është më në nivelet që kishte te Bayern Munich.

Barcelona duket se po planifikon kalimin në një brez të ri, duke u përgatitur për tranzicionin gradual të liderëve në skuadër.

Për momentin, Ferran Torres shihet si një alternativë për të zëvendësuar Lewandowskin në ndeshje të caktuara, por drejtuesit janë të bindur se nevojitet një qendërsulmues i ri me instinkt të lindur për gol.

Etta Eyong shihet si profili ideal, i ri, i shpejtë, teknik dhe me ndjesi të mirë për golin.

Nëse performanca e kamerunasit vazhdon në këtë nivel, Barcelona pritet të bëjë lëvizje konkrete që në merkaton e ardhshme.

Për katalanasit, koha për të ndërtuar të ardhmen ka nisur tani.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More